Deputetja e Vetëvendosjes, njëherit e propozuara për Kryetare Kuvendi, Albulena Haxhiu, ka thënë se nuk përjashtohet mundësia që zgjedhjet lokale dhe parlamentare të mbahen në të njëjtën kohë. Ajo konfirmoi pjesëmarrjen në takimin e ftuar nga Presidentja Vjosa Osmani për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale, shkruan Reporteri.net.
Haxhiu la të kuptohet se VV nuk e ka këtë qëndrim primar, por nëse vazhdojnë dështimet për konstituim, zgjedhjet janë opsioni.
“Nuk përjashtohet situata kur mund të mbahen të dyja bashkë. Nuk është qëndrimi ynë primar, por në qoftë se mbahet peng konstituimi, atëherë e vetmja zgjidhje tjetër janë zgjedhjet. Ne e dijmë që pa u konstituar Kuvendi nuk mund të shkohet në zgjedhje, por kjo mund të bëhet lehtësisht me një marrëveshje politike”, tha Haxhiu.
Pas dështimit të 26’të për konstituimin e Kuvendit, Haxhiu tha se nuk po kërkojnë nga partitë tjera që të votojnë për, por vetëm që të marrin pjesë në votim. Nëse kalon Komisioni për zgjedhjen e Kryeparlamentarit me votim të fshehtë, Haxhiu tha se atëherë partitë mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, shkruan Reporteri.net.
“Ne nuk kërkojmë që ata të votojnë për. Mund të votojnë kundër, mund të abstenenojnë. Nëse kalon komisioni për votim të fshehtë, ata mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese”, tha Haxhiu para gazetarëve.
Sipas saj, me mos votimin për Kryetar Kuvendi, partitë tjera po tentojnë të pamundësojnë “Qeverinë Kurti 3”.
“Qëllimi është të pamundësohet qeveria Kurti 3. Krahas kësaj, këta s’kanë mundur të deklarohen hapur kundër qeverisë Kurti 3”, tha Haxhiu.
Seanca e radhës për konstituimin e Kuvendit, do të mbahet nesër./Reporteri.net