×
  • Lajme
  • Lajme / Afatet

    Zgjedhjet lokale, KQZ del me njoftim rreth regjistrimit të mërgatës dhe votimit me postë

    Reporteri
    13 Qershor 2025 | 10:41
    Zgjedhjet në veri, Foto: REL, Bujar Terstena

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se periudha për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për votim me postë në zgjedhjet lokale, që do të mbahen më 12 Tetor, do të fillojë më 23 korrik 2025, shkruan Reporteri.net.

    Ky afat do të zgjasë 38 ditë, përkatësisht 29 gusht.

    “Gjatë periudhës 38 ditore (23 korrik – 29 gusht 2025) të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës: 1. përmes platformës elektronike të KQZ-së, ose 2. përmes postës, duke dërguar aplikimin në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë”, thuhet në njoftim.

    KQZ ka bvërë me dije se platforma elektronike për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës do të jetë e qasshme për regjistrim me fillimin e kësaj periudhe.

    “KQZ do të publikojë të gjitha shpjegimet për hapat që duhet të ndiqen për regjistrim përmes platformës apo përmes postës, si dhe informacionet për kriteret dhe dokumentacionin e nevojshëm për regjistrim”, thuhet në njoftim.

    Për dallim nga zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, në Zgjedhjet Lokale votimi jashtë vendit realizohet vetëm përmes postës, pasi në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme përcaktohet se votimi në përfaqësi diplomatike nuk aplikohet në këtë lloj zgjedhjesh.

    Ndërkaq, periudha e votimit përmes postës do të fillojë më 17 shtator dhe do të përfundojë më 11 tetor 2025. Kjo periudhë do të vlejë vetëm për shtetasit që do të arrijnë të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës së regjistrimit, 23 korrik – 29 gusht 2025./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!