×
  • Lajme
  • Lajme / Kalimi në treg të lirë

    PDK reagon pas refuzimit të ankesës nga ZRRE: Do ta çojmë çështjen në Gjykatë

    Reporteri
    13 Qershor 2025 | 18:13

    Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se ka pranuar vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji, i cila e ka refuzuar kundërshtimin e tyre administrativ ndaj vendimit që detyron mbi 1 mijë e 300 biznese të kalojnë në tregun e lirë të energjisë.

    Sipas PDK, ky vendim rrezikon mijëra vende pune dhe cenon seriozisht stabilitetin ekonomik të Kosovës.

    “Ky është një vendim thellësisht i padrejtë, joprofesional, i njëanshëm dhe skajshmërisht politik në thelb. ZRRE, që duhet të jetë një institucion në shërbim të qytetarëve dhe ekonomisë së vendit, ka zgjedhur t’i mbyllë sytë para pasojave katastrofike të këtij vendimi për sektorin privat – shtyllën kryesore të zhvillimit ekonomik dhe punësimit në Kosovë.”, thuhet në njoftimin e PDK-së.

    PDK ka bërë të ditur se kjo parti do të vazhdojë për këtë çështje në Gjykatë.

    “Ne e kemi ngritur zërin dhe do të vazhdojmë ta ngremë. Lufta jonë nuk ndalet me një letër refuzuese. Lufta jonë është për të drejtat e bizneseve që mezi mbijetojnë në një klimë të vështirë ekonomike. Lufta jonë është për punëtorët, për rrogat e tyre, për mirëqenien e familjeve të tyre. PDK njofton se këtë betejë të drejtë do ta vazhdojë në Gjykatë. Jemi të bindur se e drejta është në anën tonë dhe nuk do të ndalemi përballë asnjë institucioni që zbaton politika të dëmshme, pa ndjeshmëri sociale e pa përgjegjësi shtetërore. Zëri ynë është zëri i më shumë se 150 mijë punëtorëve të sektorit privat, të cilët përballen sot me rrezikun e humbjes së vendeve të punës për shkak të faturave të papërballueshme të energjisë.”, thuhet tutje në njoftimin e kësaj partie.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!