Gjykata e Lartë në Beograd e ka shpallur të pafajshëm ish-komandantin e Korpusit të Drinës të Ushtrisë së Republikës Sërpska (VRS), Milenko Zhivanoviç, për akuzat për krime lufte kundër popullatës civile në Srebrenicë, në korrik të vitit 1995.
Gjykata e shpalli atë të pafajshëm në shkallën e parë në një aktgjykim të martën, duke e liruar nga akuza se kishte urdhëruar zhvendosjen e detyruar të popullsisë boshnjake nga zona e mbrojtur e Srebrenicës.
Prokuroria ka paralajmëruar se do të ankohet ndaj këtij vendimi.
Në arsyetimin e aktgjykimit, gjyqtarja deklaroi se Zhivanoviç, si komandant, u kishte dhënë detyra njësive të Korpusit të Drinës, por sipas saj, asnjë prej këtyre detyrave nuk lidhej me dëbimin e popullsisë civile boshnjake, por kishin të bënin me veprime luftarake kundër njësive të palës kundërshtare.
Prokuroria kishte kërkuar dënim me pesë vjet burgim për Zhivanoviqiç – që është minimumi i paraparë me ligj.
Ndër të tjera, aktakuza e ngarkonte atë se, në mars të vitit 1995, kishte lëshuar një urdhër ku thuhej se “me veprime të përditshme të planifikuara dhe të menduara luftarake duhet të krijohen kushte të pasigurisë totale, të padurueshmërisë dhe të pashpresës për vazhdimin e jetës së banorëve në Srebrenicë dhe Zhepë”.
Aktakuza e ngarkonte atë gjithashtu se, më 12 korrik 1995, kishte urdhëruar sigurimin e autobusëve për evakuimin nga enklava e Srebrenicës, duke kërkuar nga Shtabi i Përgjithshëm i VRS-së miratimin për përdorimin e karburantit për 50 autobusë që do të angazhoheshin.
Forcat e Ushtrisë së Republikës Sërpska, gjatë ofensivës kundër Srebrenicës – zonë e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara – në korrik të vitit 1995 kryen gjenocid duke vrarë mbi 8.000 burra dhe djem boshnjakë.
Gjatë gjithë procesit gjyqësor në Serbi, Milenko Zhivanoviç u mbrojt në liri.