Dalai Lama ka njoftuar këtë të mërkurë se do të ketë një pasardhës pas vdekjes së tij, duke vazhduar kështu traditën shekullore që është kthyer në një pikë të nxehtë në luftën me Partinë Komuniste të Kinës për të ardhmen e Tibetit.
Udhëheqësi shpirtëror i budizmit tibetian e bëri deklaratën përmes një video-mesazhi drejtuar pleqve fetarë, të cilët janë mbledhur në Dharamshala të Indisë, aty ku fituesi i Çmimit Nobel për Paqen ka jetuar që kur u largua nga Tibeti pas një kryengritjeje të dështuar kundër sundimit komunist kinez në vitin 1959.
“Unë po ju pohoj se institucioni i Dalai Lamës do të vazhdojë”, tha ai në videon e regjistruar, duke përmendur kërkesat që ka marrë gjatë viteve nga tibetianët dhe budistët tibetianë që e nxisin ta bëjë këtë.
“Organizata Gaden Phodrang ka autoritetin e vetëm për të njohur rimishërimin e ardhshëm. askush tjetër nuk ka ndonjë autoritet të tillë për të ndërhyrë në këtë çështje”, shtoi ai.
Dalai Lama tha se zyra e tij duhet të kryejë procedurat e kërkimit dhe njohjes së Dalai Lamës së ardhshëm “në përputhje me traditën e kaluar”, pa zbuluar detaje të mëtejshme mbi procesin.
Ai kishte deklaruar më parë se kur të ishte rreth 90 vjeç, do të konsultohej me lamët e lartë të budizmit tibetian dhe publikun tibetian për të rivlerësuar nëse institucioni i Dalai Lamës duhet të vazhdojë.
Dhe deklarata erdhi pikërisht disa ditë para ditëlindjes së tij të 90-të, që do të jetë këtë të diel. Kjo përgatit skenën për një betejë të vështirë mbi trashëgiminë e tij, midis udhëheqësve tibetianë në mërgim dhe Partisë Komuniste ateiste të Kinës, e cila këmbëngul se vetëm ajo e mban autoritetin për të miratuar Dalai Lamën e ardhshëm.
I pyetur në lidhje me deklaratën e Dalai Lamës, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze përsëriti qëndrimin e kahershëm të Pekinit se rimishërimi i udhëheqësit shpirtëror duhet të jetë në përputhje me ligjet dhe rregulloret kineze, me kërkimin dhe identifikimin e kryer në Kinë dhe të miratuar nga qeveria.
Në një botim të muajit mars, Dalai Lama ka deklaruar se pasardhësi i tij do të lindë në “botën e lirë” jashtë Kinës, duke i nxitur ithtarët e tij të refuzojnë çdo kandidat të zgjedhur nga Pekini. Kjo mund të shkaktojë që të shfaqen dy Dalai Lama rivalë: njëri i zgjedhur nga paraardhësi i tij, tjetri nga Partia Komuniste Kineze.
“Si komuniteti tibetian në mërgim ashtu edhe qeveria kineze duan të ndikojnë në të ardhmen e Tibetit dhe e shohin Dalai Lamën e ardhshëm si çelësin për ta bërë këtë”, tha Ruth Gamble, një eksperte e historisë tibetiane në Universitetin La Trobe në Melbourne, Australi.
Si zgjidhet Dalai Lama?
Budistët tibetianë besojnë se murgjit e tyre të lartë rimishërohen pas vdekjes dhe një Dalai Lama zgjidhet nga zyrtarët budistë nëse janë të bindur se ai që po zgjedhin, strehon shpirtin e paraardhësit të tij. Dalai Lama aktual, i 14-ti, u identifikua si i rimishëruari kur ishte vetëm dy vjeç.
Në mars, ai pati njoftuar se pasardhësi i tij do të lindte jashtë Kinës dhe do të publikonte më shumë detaje pranë ditëlindjes së tij të 90-të. Kjo përbën një deklaratë të rëndësishme pasi ai kishte thënë më parë se linja e udhëheqësve shpirtërorë mund të mbaronte me të.
Lufta për trashëgiminë
Gjatë një jete në mërgim, Dalai Lama i 14-të, Tenzin Gyatso, është bërë sinonim i Tibetit dhe kërkimit të vendit për autonomi të vërtetë nën kontrollin e Pekinit në rajonin e Himalajeve.
Nga qyteti i tij i lindjes, Dharamshala, ku ai krijoi një qeveri në mërgim, udhëheqësi shpirtëror i ka bashkuar tibetianët që ende jetojnë në vend dhe ata në mërgim duke ngritur zërin për gjendjen e tyre të vështirë në skenën globale. Kjo e ka bërë Dalai Lamën një problem për Pekinin, i cili e konsideron atë si një “separatist” të rrezikshëm dhe si një “ujk me rroba murgu”.
Që nga vitet 1970, Dalai Lama ka pohuar se nuk kërkon më pavarësi të plotë për Tibetin, por autonomi “kuptimplote” që do t’u lejonte tibetianëve të ruanin kulturën, fenë dhe identitetin e tyre të veçantë. Angazhimi i tij ndaj qasjes së “rrugës së mesme” dhe jo të dhunshme i ka siguruar atij mbështetje ndërkombëtare si dhe ka fituar Çmimin Nobel për Paqen në vitin 1989.
Dalai Lama ka qenë prej kohësh i kujdesshëm ndaj përpjekjes së Pekinit për të ndërhyrë në sistemin e rimishërimit të budizmit tibetian. Budistët tibetianë besojnë në rilindje dhe se kur një mjeshtër shpirtëror si Dalai Lama vdes, ai do të jetë në gjendje të zgjedhë vendin dhe kohën e rilindjes së tij përmes forcës së dhembshurisë dhe lutjes.
Por tradita fetare është bërë gjithnjë e më shumë një fushë beteje për kontrollin e zemrave dhe mendjeve tibetiane, veçanërisht që nga rimishërimi i kontestuar i Panchen Lamës, e cila konsiderohet si figura e dytë më e lartë në fe.
Në vitin 1995, vite pas vdekjes së Panchen Lamës së 10-të, Pekini caktoi Panchen Lamën e vet në kundërshtim me Dalai Lamën, por i zgjedhuri për rolin i cili ishte një djalë gjashtëvjeçar është zhdukur që atëherë nga sytë e publikut.
Sipas traditës tibetiane, Dalai Lamat dhe Panchen Lamat kanë luajtur prej kohësh role kyçe në njohjen e rimishërimit të njëri-tjetrit. Ekspertët besojnë se Pekini do të kërkojë të ndërhyjë në trashëgiminë e Dalai Lamës aktual në një mënyrë të ngjashme.
Udhëheqësit fetarë budistë tibetianë të mbledhur këtë të mërkurë deklaruan se ata “dënojnë fuqimisht përdorimin e temës së rimishërimit nga Republika Popullore e Kinës për përfitimin e tyre politik” dhe “nuk do ta pranojnë kurrë atë”.
Nga ana e tij, Dalai Lama aktual e ka bërë të qartë se çdo kandidat i emëruar nga Pekini nuk do të ketë legjitimitet në sytë e tibetianëve ose ndjekësve të budizmit tibetian.
“Është krejtësisht e papërshtatshme që komunistët kinezë, të cilët e refuzojnë hapur fenë, përfshirë idenë e jetës së kaluar dhe të ardhshme, të ndërhyjnë në sistemin e rimishërimit të lamave, e lëre më atë të Dalai Lamës”, ka shkruar ai në librin e tij të fundit me kujtime.