×
  • Lajme
  • Lajme / Liberalizimi i tregut

    Kompania e themeluar nga shefi i stafit të Kurtit po e pret licencën për tregtim të rrymës, ZRRE: Vendimin e merr bordi, data s’është caktuar

    Reporteri
    03 Korrik 2025 | 16:13

    Luan Dalipi i stafit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, po pret lëshimin e një licence për tregtimin e energjisë elektrike për “MDA”, kompaninë që e kishte themeluar vetë, e që tash është në emër të vëllait të tij, Dritonit. Aplikimi, i cili është përshkruar si “provim fati”, aktualisht ndodhet në “fazën e shqyrtimit administrativ” dhe ZRRE-ja pritet që ta marrë një vendim, në një datë që nuk është caktuar ende.

    Zyra e Rregullatorit për Energji është duke e shqyrtuar dokumentacionin e dorëzuar nga “Management & Development Associates L.L.C.”, kompania e Driton Dalipit, vëllait të Luan Dalipit, shefit të stafit të kryeministrit në detyrë Albin Kurti, që po pret ta marrë një licencë për të tregtuar energji elektrike.

    ZRRE-ja tha se “kompania në fjalë nuk është licencuar ende”.

    “Deri në momentin e dërgimit të këtij komunikimi, asaj nuk i është lëshuar ndonjë licencë për ndonjë aktivitet të rregulluar në sektorin e energjisë”, ka deklaruar ZRRE për Express.

    Kompania e regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) në emër të Driton Dalipit, është themeluar nga Luan Dalipi, në bazë të deklarimit të pasurisë nga shefi i stafit të Kurtit në vitin 2021.

    “Kompania ka dorëzuar dokumentacionin përkatës, të kërkuar nga ZRRE në kuadër të aplikimit për licencë dhe aktualisht ndodhet në fazën e shqyrtimit administrativ”, thuhet në përgjigje.

    Bordi i ZRRE-së pritet ta marrë një vendim për këtë në njërën prej seancave të rregullta, por ende nuk është caktuar data.

    “Vendimmarrja për lëshimin apo refuzimin e një licence bëhet nga Bordi i ZRRE-së përmes seancës së rregullt. Aktualisht nuk është caktuar një datë për trajtimin e këtij aplikimi nga Bordi”, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së.

    Zyrtari më i lartë në kabinetin e Kurtit thoshte se pjesa thelbësore e pasurisë së tij bazohej në të ardhurat e kësaj kompanie. Në vitin 2021 kishte deklaruar 6,000.00 euro të hyra vjetore si konsulent në “MDA”.

    Luan Dalipi shkruante kështu në deklarimin e pasurisë në vitin 2021, në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit: “Pasuria ime bazohet në të ardhurat nga: (1) të hyrat vjetore dhe dividentat (pjesa më substanciale) e Kompanisë ‘Management Development Associates’ (MDA); (2) të ardhurat e bashkëshortes; si dhe, (3) nga përkrahja financiare nga prindërit. Unë jam bashkëthemelues i ‘MDA’-së ( 2004 ) dhe kam qenë aksionar në këtë firmë deri më 2017. ‘MDA’ punëson rreth 30 profesionistë dhe ka pasur qarkullim mesatar vjetor 1-2 mil euro (2008-2019). Apartmani në Breg të Diellit, Prishtinë, më është dhuruar nga prindërit. Ndërsa, kapitalin e konsiderueshëm financiar për blerjen e shtëpisë me 10 ari tokë në Marigona Residencë, në Çagllavicë, si dhe veturën time dhe të bashkëshortes i kemi siguruar nga dividentat e mia, si ish-aksionar në ‘MDA’, nga të ardhurat e mia dhe të bashkëshortes (rrogat), kreditë personale, si dhe ndihmës financiare nga prindërit”.

    Në bazë të deklarimit të fundit të pasurisë, Luan Dalipi nuk ka aksione në Kompaninë “MDA”.

    Kur doli lajmi se kjo kompani po priste të licencohej nga ZRRE për tregtimin e energjisë elektrike, Luan Dalipi tha më 30 maj se vëllai i tij, Dritoni, “s’është ministër, s’është këshilltar”. Ai, thoshte për vëllain, “është thjesht një qytetar i lirë që pas 20 vitesh punë të suksesshme në biznes, ka vendos, para rreth 1 viti, me provu fatin në tregun e liberalizuar të energjisë, si çdo tjetër”.

    Luan Dalipi shkruante ndër tjerash në Facebook se “liberalizimi i tregut të energjisë është vendim ekskluziv i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), një organ i pavarur nga Qeveria që i raporton Kuvendit”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!