×
  • Lajme
  • Lajme

    Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Tajlandës

    Reporteri
    03 Korrik 2025 | 19:39

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pranoi sot letrat kredenciale të ambasadorit të ri jorezident të Mbretërisë së Tajlandës në Republikën e Kosovës, z. Phrommes Bhaholpolbhayuhasena.

    Gjatë takimit, Presidentja Osmani i uroi mirëseardhje ambasadorit Bhaholpolbhayuhasena dhe theksoi rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore ndërmjet dy vendeve. Ajo vlerësoi lartë bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Tajlandës, duke e cilësuar atë si një raport të ndërtuar mbi vlera të përbashkëta.

    Ambasadori Bhaholpolbhayuhasena shprehi gatishmërinë për të punuar drejt thellimit të bashkëpunimit midis dy shteteve, gjersa e uroi Presidenten Osmani për organizimin e sivjetëm të Forumit Ndërkombetar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ku mori pjesë edhe Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme të Tajlandës, Lalivan Karnchanachari.

    Në takim, Presidentja rikujtoi vizitën e saj në Tajlandë në vitin 2022, në shënim të dhjetëvjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, si një moment kyç në thellimin e partneritetit mes dy vendeve. Ajo nënvizoi se vendimi i Tajlandës për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt rritjes së shkëmbimeve ekonomike e kulturore midis shteteve, bizneseve dhe popujve tanë.

    Në përmbyllje, Presidentja Osmani riafirmoi gatishmërinë e institucioneve të Republikës së Kosovës për të avancuar më tej raportet dypalëshe me Mbretërinë e Tajlandës, në frymën e partneritetit dhe respektit të ndërsjellë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!