×
  • Lajme
  • Lajme

    Djali i Jakup Krasniqit: Biseda ime mbetet një komunikim familjar, ndërsa deklarata e Kurtit përçon mesazhin se ata duhet të mbesin në paraburgim

    Reporteri
    03 Korrik 2025 | 23:34

    Deputeti i PDK-së, Altin Krasniqi, thotë se deklarata e kryeministrit në detyrë Albin Kurti për ish-krerët e UÇK-së, “përçon mesazhin se ata duhet të mbesin në paraburgim”.

    Tutje, në një reagim në profilin e tij në Facebook, Krasniqi thotë se biseda e tij me babain, mbetet komunikim familjar dhe personal.

    “Është e domosdoshme që përfaqësuesit institucionalë të tregojnë kujdes në deklaratat e tyre publike, sidomos kur ato ndikojnë drejtpërdrejt në proceset gjyqësore”, bën thirrje Krasniqi.

    Postimi i tij i plotë:

    Sqarim për opinionin publik

    E dëgjova emisionin Politiko, ku u përmend emri im. Dua të theksoj se një bisedë private dhe e sinqertë me babain tim rreth përfshirjes në politikë nuk mund të barazohet me deklaratat publike të ish-Kryeministrit, lidhur me ndikimin e supozuar të ish-liderëve të PDK-së.

    Biseda ime mbetet një komunikim familjar dhe personal, ndërsa deklarata e Kurtit vetëm sa e përforcon bindjen dhe përçon mesazhin se ata duhet të vazhdojnë të mbesin në paraburgim duke u thirrur në një ndikim të supozuar politik, pa asnjë bazë.

    Është e domosdoshme që përfaqësuesit institucionalë të tregojnë kujdes në deklaratat e tyre publike, sidomos kur ato ndikojnë drejtpërdrejt në proceset gjyqësore.

    Gjithashtu, në emision u përmend votimi i Gjykatës Speciale dhe u tha se Rexhep Selimi ia ka marrë mikrofonin babait tim për ta penguar në atë votim. Kjo nuk është aspak e vërtetë. Gjatë votimit të Gjykatës Speciale, babai im nuk ka pasur asnjë funksion institucional shtetëror nuk ka qenë as deputet dhe as kryetar i Kuvendit.

    Në fund, duhet rikujtuar se Kuvendi i Kosovës u përket të gjithë përfaqësuesve të qytetarëve. Secili deputet ka të drejtë të votojë sipas bindjes së vet, pa presion dhe pa pengesa. Askush nuk ka të drejtë të uzurpojë fjalën e askujt as me forcë, as me arrogancë. Deputetët nuk janë aty për të përmbushur interesat personale të një individi apo të një partie, por për të përfaqësuar qytetarët e vendit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!