×
  • Lajme
  • Lajme / Deklarata

    Vdekja e të riut në fabrikën e tullave në Gjakovë, Prokuroria jep detaje

    Reporteri
    06 Korrik 2025 | 14:03

    Një i ri ka mbetur i vdekur derisa po punonte në një fabrikë të tullave në Gjakovë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Pas lëndimeve të marra, viktima fillimisht ishte dërguar për tretman mjekësor në spital në Gjakovë, e më pas në QKUK.

    Lidhur me rastin, nga Prokuroria Themelore e Gjakovës kanë thënë për Gazetën Online Reporteri.net se hetimet kanë nisur dhe se trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

    “Lidhur me rastin në fjalë, jemi njoftuar nga Policia e Kosovës dhe në vendin e ngjarjes kanë dalë prokurori kujdestar, të gjitha njësit përkatëse të Policisë së Kosovës dhe inspektori i punës. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML). Prokurori i Shtetit, në koordinim me Policinë e Kosovës, janë duke i ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme lidhur me këtë rast”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore të Gjakovës për Reporteri.net

    Në raportin 24 orësh të policisë thuhet se për shkak të lëndimeve të marra, i riu ka vdekur rreth orës 00:20 të së dielës.

    “ASGJËSIM, DËMTIM OSE HEQJA E PAJISJEVE MBROJTËSE DHE RREZIKIMI I SIGURISË NË VENDIN E PUNËS- Gjakovë / 05.07.2025 – 21:55. Viktima m/k në vendin e tij të punës në një fabrikë të tullave në rrethana të panjohura ka pësuar lëndime të rënda. Viktima fillimisht është dërguar për tretman mjekësor në QE-Gjakovë dhe pastaj në QKUK, mirëpo dyshohet për shkak të lëndimeve të rënda, rreth orës 00:20’ të datës 06.07.2025 ka ndërruar jetë. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin”, thuhej në raport të policisë.

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!