×
  • Lajme
  • Lajme

    Temperaturat e larta, IKShPK i bën thirrje qytetarëve të kenë kujdes me produktet ushqimore

    Reporteri
    08 Korrik 2025 | 13:28

    Instituti Kombëtar i Shëndëtësisë Publike të Kosovës ka alarmuar për rritje të rrezikut të helmimeve ushqimore për shkak të temperaturave të larta.

    “Siguria ushqimore u referohet të gjitha rreziqeve të cilat mund t’i shkaktojnë dëme ushqimit dhe përmes tij, shëndetit të popullatës. Në verë ☀️, për shkak të temperaturave të larta 🌡️, rritet rreziku i helmimeve ushqimore. Mikroorganizmat 🦠 shumohen më shpejt dhe ushqimi prishet më lehtë. Prandaj, kujdesi gjatë përgatitjes 👩‍🍳 dhe ruajtjes së ushqimit është shumë i rëndësishëm për të shmangur sëmundjet”

    IKSHPK thotë se kontaminimi i ushqimeve mund të vijë nga: duart e papastërta, ushqimet, uji, kafshët shtëpiake, insektet etj.

    Tutje thuhet se ushqimi duhet të gatuhet mirë dhe të konsumohet menjëherë pas përgatitjes.

    “Ruajeni ushqimin në mënyrë të sigurt: Në të nxehtë mbi 60°C, në frigorifer nën 5°C. Mishi i ngrirë dhe mishi i shpendëve duhet të shkrihen tërësisht përpara gatimit. Ringroheni mirë ushqimin e ruajtur: Para konsumit, sigurohuni që ushqimi të arrijë përsëri 70°C. Shmangni kontaktin mes ushqimit të papërpunuar dhe atij të gatuar: Përdorni thika dhe dërrasa të ndara për secilin. Lani duart shpesh dhe si duhet: Para dhe pas përgatitjes së ushqimit, pas tualetit, pas ndërrimit/pastrimit të foshnjave apo pas kontaktit me kafshë. Mbani pastër kuzhinën dhe enët: Pecetat dhe leckat ndërroni rregullisht dhe ziejini nëse kontaminohen. Mbroni ushqimin nga insektet dhe brejtësit: Mbajeni ushqimin në enë të mbyllura me kapak. Përdorni ujë të pastër dhe të sigurt: Nëse dyshoni në cilësinë e ujit, vlojeni para përdorimit. Kontrolloni datat e skadimit dhe freskinë: Shmangni produktet me erë apo pamje të pazakontë. Kujdes me ushqimin jashtë shtëpisë: Përdorni frigoriferë dore ose enë termoizoluese në piknik apo udhëtime”

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!