Kajsitë mbizotërojnë si një nga frutat më përfaqësuese të verës. Me shije të pasura, aromë të veçantë dhe ngjyrë të ngrohtë, ato nuk janë vetëm një kënaqësi në tryezë, por edhe një produkt me rëndësi të veçantë për shëndetin.
Në mjekësinë popullore, kajsia konsiderohej “ilaçi i qershorit”, për vetitë e saj detoksifikuese dhe përforcuese të organizmit.
Sot, edhe shkenca konfirmon këto cilësi: kajsitë e freskëta janë të pasura me beta-karoten (provitaminë A), vitamina C, E, K dhe minerale si kaliumi, kalciumi dhe hekuri.
Përmbajnë gjithashtu antioksidantë dhe fibra bimore, që mbështesin sistemin imunitar dhe tretës.
Kajsitë e thata përmbajnë më shumë energji, me përqendrim të lartë të vitaminës A dhe hekurit, duke qenë të përshtatshme për dietat e performancës së lartë, ndonëse kanë përmbajtje më të lartë sheqeri natyror.
Edhe berthama e kajsisë nuk shkon dëm, prej saj nxirret një vaj i pasur me yndyra të pangopura dhe vitaminë E, i përdorur në kozmetikë, farmaceutikë dhe produkte ushqimore funksionale.
Si të ruajmë kajsitë në mënyrën më të mirë?
Për shkak të ndjeshmërisë së tyre, ruajtja e saktë është thelbësore. Në frigorifer (0–2°C me lagështi 90–95%), kajsia ruhet deri në dy javë. Ruajtja në ngrirje mund të zgjasë jetëgjatësinë për muaj të tërë pa humbur vlerat ushqyese.
Metoda tradicionale si tharja (natyrale ose artificiale) dhe konservimi në formë komposte, marmelate apo ëmbëlsirë me lugë, mbeten mjaft të dashura për konsumatorët.