×
  • Lajme
  • Shqipëria / Ish-deputeti

    Salianji pas lirimit: Burgosja ime, politike

    Reporteri
    08 Korrik 2025 | 21:06

    Ervin Salianji foli nga selia e PD-së pasi u lirua nga burgu i Fierit, ku vuajti 10 muaj dënim të dhënë nga Gjykata e Apelit për kallëzim të rremë.

    Ai tha se burgosja e tij ishte politike dhe shtoi se sipas tij Gjykata e Lartë ka falsifikuar shortin për trupën gjykuese për rekursin e tij.

    “Gjykata e Lartë në këndvështrimin tim ka bërë një falsifikim të shortit të trupës gjyqësore që shqyrtoi rekursin tim, i jam drejtuar SPAK për hetim që përse duhej hequr një trupë që ishte me short dhe pse u vendos një trupë me miqësi. Me zor e pres një përballje në Gjykatën Europiane për të përcaktuar nëse kam pasur unë të drejtë apo qeveria”, theksoi ai.

    Sipas tij dënimi i tij nuk solli përfitim për Shqipërinë por vetëm regres.

    “Ju falënderoj për vëmendjen dhe mesazhe nëpërmjet jush kam komunikuar me publikun prej 10 muajsh. U Riktheva në të njëjtën sallë ku bëra denoncimin e famshëm për përfshirjen e vëllait të ish-ministrit të Brendshëm. Nga këtu nisi konferenca në mbrojtje të interesit publik dhe ritkthehem pas 10 muajsh ku nga kjo seli u nisa për t’u vetëdorëzuar. Sot ja ku jemi përsëri fatkeqësisht me të njëjta sëmundje që ka Shqipëria, e cila dhe me dënimin tim nuk pati benefit por regres në demokraci. Burgosja ime politike u bë për shkak të prekjes së një prej karteleve më të rrezikshëm të drogës të lidhura me pushtetin”.

    Salianji theksoi se burgosja e tij ishte edhe një mesazh për kundërshtarët e qeverisë.

    “Siç po ndodh pushteti i kryeministrit Rama dhe që buron kryesisht nga këto lidhje dhe dënimi politik ishte për të dhënë mesazh ndaj kolegëve të tjerë dhe kushdo që është kundër qeverisë mund ta pësojë edhe pa bërë asgjë. Kam dalë nga burgu pasi kam kryer dënimin politik si çdo qytetar në këtë Republikë”.

    Ish-deputeti thekson se rasti i tij është i pari në këto 34 vite që dënohet për kallëzim të rremë në një kohë që sipas tij nuk ka bërë kallëzim, por denoncim publik dhe se burgosja e tij u bë para zgjedhjeve për ta izoluar politikisht.

    “Jemi në një situatë ku vullneti personal i një individ vendos mbi çdo normë e institucion e nen të kushtetutës. Pasoja që solli denoncimi im duhet thënë që një i dënuar për trafik droge u dorëzua në institucionet e vuajtjes së dënimit në Itali. Kjo është një pasojë pozitive për shoqërinë, por ka zbuluar qeverinë e ka zhveshur duke faktuar para qytetarëve jo vetëm lidhjet e saj me kartelet, por mbrojtjen politike që u jep”, tha ai.

    Në konferencën për mediat Salianji u pyet nëse do të kandidojë në zgjedhjet e 2029.

    Demokrati nuk dha një përgjigje konkrete, por theksoi se ai do të bëjë politikë krah interesit të qytetarëve me apo pa mandatin e deputetit.

    Ish-deputeti demokrat u shpreh edhe për zgjedhjet e 11 majit dhe rolin e PD-së.

    Sipas tij opozita duhej të gjejë zgjidhje të largojë Ramën dhe regjimin dhe jo të presë që Rama të reflektojë.

    Salianji kërkon sakrificë nga drejtuesit dhe simpatizantët. Koha, sipas ish-deputetit është të kërkohet zgjidhje pasi detyra thërret për largimin e regjimit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!