×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme

    Fjalimi anti UÇK, Petkoviq reagon ashpër për arrestimin e ndihmësit të tij

    Reporteri
    18 Korrik 2025 | 22:56

    Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka reaguar pas arrestimit të Igor Popoviqit nga autoritetet e Kosovës.

    Përmes një statusi në platformën X, Petkoviq ka thënë se “në vend që të arrestojë terroristët që kanë bërë të këqija ndaj popullit serb, autorët e krimeve në Rahovec dhe në gjithë Kosovën, Albin Kurti arreston bashkëpunëtorin tim dhe të guximshmin, Igor Popoviq, sepse në përkujtimin në Rahovec ka thënë të vërtetën për UÇK-në kriminale dhe për vuajtjet e serbëve!”.

    Ai shtoi se “prangat nuk do ta fshehin të vërtetën për krimet e UÇK-së!”, duke akuzuar Kurtin për veprime të motivuara politikisht ndaj serbëve në Kosovë.

    Për arrestimin e tij ka shkruar edhe ministri i Punëve të Brendshme në detyrë, Xhelal Sveçla.

    Sveçla njoftoi se ai u arrestua në Bërnjak, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Sipas tij, Popoviq gjatë një fjalimi në Rahovec me deklarimet e tij ka nxitur urrejtje e përçarje ndëretnike në vendin tonë.

    “Ai e ka cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) si organizatë terroriste, duke i krahasuar veprimet e saj me ngjarje të rënda në historinë botërore. Për këtë shkak, zyrtari i Qeverisë së Serbisë është ndaluar në pikën kufitare të Bërnjakut dhe më pas është dërguar në stacionin policor në Mitrovicën e Veriut. Ndaj tij pritet të merren masa sipas ligjeve në fuqi në vendin tonë.”, njoftoi Sveçla.

    Ai tha se Republika e Kosovës është shtet demokratik dhe sovran dhe nuk do të tolerojë fyerje dhe përdhosje të historisë sonë.

    “Ne as nuk kemi cenuar një shtet tjetër, as nuk kemi provokuar popullatën e një shteti tjetër dhe as nuk do të lejojmë veprime të tilla ndaj nesh. Nuk do te tolerojmë fyerje dhe përdhosje të historisë sonë, e aq më pak të Luftës sonë Çlirimtare të udhëhequr nga UÇK-ja. Kjo pjesë e historisë gëzon respektin e të gjithë botës përparimtare. Deklarimet e modelit millosheviqian, që administrata politike e Serbisë të drejtuar nga Vuçiq i mban ende gjallë dhe i shpërndan kudo, janë të dënueshme sepse janë përçarëse, të pavërteta sepse janë të trilluara, dhe të dëmshme sepse janë në kundërshtim me çdo normë ndërkombëtare të fqinjësisë dhe shoqërive përparimtare.”, ka shkruar ai.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!