Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po përballet me gjykimin në Dhomat e Specializuara në Hagë, ka ndarë një kujtim të veçantë me babain e tij, disa ditë para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008.
Në një intervistë për Klan Kosova, Thaçi ka zbuluar se kishte thyer konfidencialitetin dhe ia kishte treguar të atit datën e saktë të shpalljes së pavarësisë, vetëm pak ditë para momentit historik, raporton Gazeta Online Reporteri.net.
“Me babain kisha thyer konfidencialitetin e mosbërjes publike të ditës së shpalljes së pavarësisë. Tri apo katër ditë përpara, gjatë bisedës sonë telefonike të përditshme, më pyeti: ‘Kur po kryhet?’ I thashë: ‘Të dielën pasdite.’ Nuk kisha bërë asgjë të gabuar – ai ishte bashkëluftëtari im që nga orët e para. E dija që nuk do ta thoshte askund.”
Thaçi kujton se prindërit e tij ishin të parët që e uruan pas shpalljes së pavarësisë.
“Pak çaste pas shpalljes, më telefonuan dhe më uruan: ‘Përhajr dhe e gëzoftë Kosova!’”, ka rrëfyer ai.