Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi së bashku me bashkëshorten e tij ka hedhur votën në shkollën “Faik Konica” në kryeqytet.
Mirëpo ai ka hasur në vështirësi gjatë procesit të votimit, pasi nuk e ka gjetur veten me lehtësi në listat e votimit, shkruan Reporteri.net.
Janë dashur disa minuta derisa komisionerët kanë arritur që ta gjejnë emrin e presidentit Thaçi në listë të votimit. Derisa komisioneri orvatej ta gjente emrin e presidentit në listën e votuesve, ai e ka kthyer listën nga vetja dhe e ka gjetur vetë emrin e tij.
E kur kjo ndodhi, ai hasi në një problem tjetër, lapsi me të cilin tentoi të nënshkruante kishte mbetur pa ngjyrë.
Ndryshe, presidenti Thaçi u ka bërë thirrje qytetarëve për një proces të qetë zgjedhor duke thënë se në këtë mënyrë fiton Kosova.
“Deshiroj edhe nje hërë ti uroj qytetarët për këtë ditë të rëndësishme dhe i ftoj që të dalin të votojnë, do jetë një votim për të ardhmen euroatlantike të Kosovës, për të ardhmen e sigurtë, për një jetë më të mirë, për zhvillim ekonomik”, ka thënë Thaçi. /Reporteri.net