×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme / 1000 euro gjobë

    Drejtori i Kurtit në ATK ishte shpallur fajtor dhe dënuar për mosdeklarim të pasurisë

    Reporteri
    22 Gusht 2025 | 15:52

    Tash e një javë, njeriu i Vetëvendosjes, Mentor Hyseni, është emëruar Drejtor i Administratës Tatimore të Kosovës. Prokuroria Themelore e Prishtinës ka konfirmuar për Reporteri.net se i njëjti, para dy vitesh ishte shpallur fajtor dhe dënuar me 1 mijë euro gjobë për mosdeklarim të pasurisë.

    Aktakuza ndaj Hysenit ishte ngritur gjatë kohës sa i njëjti ishte anëtar i Bordit të Drejtorëve të Agjencinë Kosovare të Privatizimit, për ”Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, dhuratave, i dobisë tjetër matriale ose i detyrimeve financiare”

    “Lidhur me pyetjet tuaj ju njoftojmë, se ekziston dyshimi i bazuar mirë se, në cilësinë e zyrtarit të lartë publik, Anëtar i Bordit të Drejtorëve – Agjencia Kosovare e Privatizimit, Prishtinë, i pandehuri Mentor Hyseni, me dashje ka vepruar në kundërshtim me nenin 5 par.1 të Ligjit për Deklarim, Prejardhjen dhe Kontrollimin e Pasurisë së Zyrtarëve të Lartë Publik, në atë mënyrë që i njëjti edhe pse ka qenë i obliguar të bëjë deklarimin e pasurisë në afatin e paraparë ligjor (brenda 30 ditëve), i njëjti nuk e ka deklaruar pasurinë brenda këtij afati, përkatësisht nga 1 mars deri me 31 mars 2022, për vitin paraprak nga 1 janari deri me 31 dhjetor të vitit 2021”, kanë deklaruar nga Prokuroria.

    I njëjti është shpallur fajtor dhe dënuar në nëntor të vitit 2023.

    “… me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, P.nr.1922/22 të datës 01.11.2023, pranohet kërkesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, i akuzuari Mentor Hyseni shpallet fajtor dhe dënohet me gjobë prej 1000 (një mijë) euro”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për Reporteri.net.

    Hyseni u emërua Drejtor i Administratës Tatimore të Kosovës, më 13 gusht.

    Lajmin e kumtoi Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, duke thënë se thënë se procesi i përzgjedhjes për këtë pozitë është zhvilluar në mënyrë transparente dhe profesionale, “duke u siguruar që kandidati i përzgjedhur të plotësojë të gjitha kushtet e nevojshme për këtë pozitë me rëndësi të lartë”.

    “MFPT ka besim të plotë që Z. Hyseni se do të vazhdojë dhe avancojë punën e mirë që është bërë deri më tani, në shërbim të një administrate moderne, transparente dhe të drejtë”, thuhet në njoftim.

    Gazeta Online Reporteri.net kishte raportuar në nëntor të vitit të kaluar se si Hyseni ia ka mësyer pozitës si Drejtor pranë Administratës Tatimore të Kosovës.

    Pozita ishte hapur në maj të vitit 2024, kur dhe ishte shpallur konkursi.

    Në vitin 2021 ai ishte emëruar anëtar i bordit në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, për t’u më pas, kryesues i këtij bordi në këtë institucion.

    Por, krahas kësaj pozite, Hyseni s’kishte mbetur pa gjë në Qeverinë Kurti 1, ku ishte emëruar anëtar i përkohshëm i bordit në “Ujësjellësi Prishtina”.

    Hyseni në vitin 2019 kishte aderuar në Vetëvendosje, aderim për të cilin pati shkruar edhe vetë Albin Kurti.

    “Ardhja e Mentorit në Lëvizje është vlerë e shtuar për të përmirësuar Politikat Publike, Ekonominë dhe Financat Pubiike në vendin tonë”, kishte shkruar Kurti.

    Po në atë vit në zgjedhje kishte qenë kandidat për deputet, por që s’kishte rezultuar i suksesshëm.

    Hyseni, ani pse s’ishte bërë deputet, kishte vazhduar aktivitetin e tij politik me VV-në, duke u bërë edhe donator i kësaj partie, në dhënien e parave për mbështetje të fushatës atë kohë./Reporteri.net

    Njeriu i VV’së, Mentor Hyseni rehatohet si Drejtor i ATK’së

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!