Presidentja Vjosa Osmani ka akuzuar mediat, duke thënë se po i përndjekin vazhdimisht vajzat e saj të mitura, duke e cilësuar këtë si të kundërligjshme dhe të rrezikshme.
Reagimi i saj vjen pas arrestimit të kamermanit të Paparacit, Jetmir Muji, i cili derisa ishte duke xhiruar për një raport rreth shkollimit të vajzave të Presidentes në një shkollë private, është ndaluar nga mbrojtja e afërt e saj, i është konfiskuar kamera dhe i është kërkuar që të fshijë materialet.
Osmani ka thënë se ndryshimi i lokacionit të shkollës është bërë për shkak të problemeve të shkaktuara nga niveli i rrezikshmërisë së lartë dhe për shkak të ndryshimit të lokacionit ku jetojnë, duke thënë se shkolla “Ismail Qemali” tashmë është shumë larg nga vendbanimi i tyre, shkruan Reporteri.net.
“Natyrisht që policia është prezente, sepse kjo u kërkohet me ligj dhe, sipas vlerësimit të vetë policisë, vajzat e mia hyjnë në kategorinë e rrezikshmërisë së lartë. Këto ligje nuk i kam hartuar unë dhe këtë vlerësim të rrezikshmërisë nuk e kam bërë unë. Kjo praktikë ekziston kudo në botë”, ka shkruar Osmani.
Ajo ka akuzuar gazetarët se kanë rrezikuar jetën e vajzave të saj, sa ishin në shkollën “Ismail Qemali”.
“E vetmja gjë që bënin disa nga këta të ashtuquajtur gazetarë, ishte rrezikimi i sigurisë së vajzave të mia, të cilat shkonin çdo ditë në shkollë publike, duke publikuar vendndodhjen e tyre, klasat e tyre, incizime të paautorizuara të fytyrës së tyre, pa asnjë leje paraprake, e përkundër moshës së tyre të mitur, dhe faktit se, ashtu siç e parasheh ligji dhe siç ka qenë rasti edhe me familjet e tjera të presidentëve, policia është prezente. Njësoj, pra incizime të paautorizuara të fëmijëvë të mitur, ata tentuan të bëjnë edhe sot”, ka shkruar Presidentja.
“Prandaj, do të ndërmarr çdo masë ligjore për të mbrojtur fëmijët e mi nga këta të ashtuquajtur gazetarë, të cilët nuk e kanë qëllimin të informojnë publikun, por të rrezikojnë jetën e fëmijëve që nuk u kanë asnjë faj. Këto incizime të paautorizuara, shpesh deri në nivel të përndjekjes, për fëmijët krijojnë jo vetëm rrezik fizik, por edhe psikologjik, me pasoja afatgjata”, thuhet në reagimin e Osmanit.
Në një paragraf, Osmani akuzon se disa gazetarë merren me veprimtari të kundërligjshme, duke iu referuar informacioneve nga institucionet e sigurisë.
“Por asnjëherë, disa të ashtuquajtur gazetarë (për ndonjë prej tyre do të shokoheshit se me çfarë veprimtarie të kundërligjshme merren, sipas institucioneve tona të sigurisë), asnjëherë nuk kanë shkruar se Presidentja e vendit i dërgon fëmijët në shkollë publike në Kosovë, përkundër sfidave të mëdha me të cilat përballej kjo shkollë.”
AGK-ja ka thënë se është e alarmuar dhe thellësisht e shqetësuar me këtë arrestim dhe ndalim arbitrar dhe i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës, që ta lirojë menjëherë Mujin.
“AGK-ja e konsideron arrestimin të paligjshëm, arbitrar dhe abuzim nga ana e Policisë së Kosovës. Ky është një sulm i papranueshëm kundër lirisë së medias dhe të drejtës së qytetarëve për informim”, thuhet në njoftim./Reporteri.net
Arrestohet kameramani Jetmir Muji, AGK’ja kërkon lirimin e menjëhershëm të tij