×
  • Lajme
  • Lajme

    Ambasadori amerikan i shkon në zyrë Albin Kurtit

    Reporteri
    08 Tetor 2019 | 15:08

    Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, ka vizituar sot selinë e Lëvizjes Vetëvendosje, ku u prit nga kryetari i saj, i cili doli fitues i zgjedhjeve para dy ditësh.


    VV-ja ka njoftuar për një takim konstruktiv të Kurtit me Kosnett-in, ku u theksua se biseduan rreth zgjedhjeve por edhe nevojës për luftën kundër korrupsionit dhe dialogun me Serbinë, shkruan Reporteri.net

    “Në një takim miqësor, ambasadori Kosnett shprehu kënaqësinë e tij për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pjesëmarrjen e lartë të qytetarëve dhe uroi kryetarin Kurti për një fushatë që adresoi shqetësimet e votuesve. Ai tregoi interesim të veçantë në përparimin kundër korrupsionit, për ekonominë, dhe për përparimin në dialogun me Serbinë, drejt arritjes së një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të sillte stabilitet dhe paqe të qëndrueshme në rajon”, thonë VV-ja.

    VV-ja thote se Kurti e ka siguruar ambasadorin amerikan se do të jetë kryeministër i të gjithëve dhe, sipas tyre, ai ka theksuar se do të nis hapat për rinisjen e dialogut me Serbinë.

    “Kryetari Albin Kurti tha se dialogu do të fillojë me serbët e Kosovës, nga poshtë lartë për zhvillim e integrim të serbëve qysh në javën e parë. Ndërkaq, në muajin e parë nevojitet takim me z.Borrel, përfaqësuesin e ri të lartë të BE-së për Siguri e Politikë të Jashtme, si dialog me Brukselin për dialog me Serbinë, sepse dialogu me Serbinë duhet të jetë i përgatitur mirë e me parime të qarta. Paraprakisht duhet të mbyllet kapitulli i 33 marrëveshjeve të mëhershme, përkatësisht vlerësimi i zbatimit dhe i ndikimit të tyre. Nuk duhet të vonohemi por s’kemi as pse nxitohemi e bëjmë gabime që na kushtojnë pastaj”, transmeton VV-ja fjalët e Kurtit.

    Ndryshe, partia që doli fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit thotë se në fund të takimit është shprehur interesimi për vazhdim të takimeve./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!