×
  • Lajme
  • Lajme

    Vjosa Osmani paralajmëron koalicion me VV-në: Duhet ta bëjmë për qytetarët

    Reporteri
    09 Tetor 2019 | 12:44

    Kandidatja e LDK-së, për kryeministre Vjosa Osmani, ka falënderuar të gjithë qytetarët që e përkrahën në zgjedhjen e 6 tetorit.


    Ajo thotë se qytetarët përcaktuan qeverinë e re, e cila duhet të përbëhet nga opozita e deridjeshme.

    Osmani thotë se për të nuk ka asnjë alternativë tjetër dhe se koalicioni LDK-VV ka shumë sfida para vetes, por duhet ta ketë vetëm një interes: atë të qytetarëve të Kosovës, shkruan Reporteri.net.

    Postimi i Osmanit:

    Të dashur qytetarë të vendit tim,

    Këtë vjeshtë janë mbushur plot 20 vjet që jam bërë anëtare e LDK-së dhe gati po aq që kam shërbyer në institucionet e Kosovës. Ka qenë rrugë jo e lehtë, plot pengesa e sfida, sikur për shumë të rinj e të reja në vendin tonë.

    Deri tani, ishte një rrugëtim i jashtëzakonshëm, përgjatë të cilit kam takuar mijëra gra e burra, vajza e djem, qytetarë të mirë të këtij vendi që më kanë mbushur plot shpresë për të ardhmen.

    I falënderoj miliona herë, nga thellësia e zemrës, të gjithë që na përkrahën e besuan në ne, si dhe të gjithë aktivistët e veprimtarët që kurrë nuk reshtën së punuari me vetëmohim. Arritëm që të gjithë së bashku, por për një kohë tejet të shkurtë prej vetëm një muaji, ta ringrisim LDK-në në një rezultat që nuk e kishte nga viti 2004. Por, na mbetet edhe shumë punë për të bërë, edhe shumë sfida për të kaluar, e ato mund t’i kalojmë vetëm së bashku.

    Më në fund, qytetarët, jo vetëm që votuan, por, ajo votë ishte thirrje për ndryshim e ndëshkim ndaj qeverisjes së keqe. Qytetarët, poashtu, përcaktuan qeverinë e re, e cila duhet të përbëhet nga opozita e deridjeshme. Për mua nuk ka asnjë alternativë tjetër. Koalicioni LDK-VV ka shumë sfida para vetes, por duhet ta ketë vetëm një interes: atë të qytetarëve të Kosovës.

    Unë do të punoj dhe do t’i shërbej vendit tim, pavarësisht se ku jam.

    Ashtu siç e kam thënë gjithnjë: në secilën betejë, do të jemi së bashku, deri në fund!

    E juaja,
    Vjosa

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!