Nesër do të mësohet nëse mandatari për formimin e Qeverisë së re të Kosovës, kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i ka numrat për ta formuar kabinetin e ri qeveritar, të cilin do ta paraqesë para deputetëve në seancën që pritet të fillojë në ora 10:00.
Kurti, për ta formuar qeverinë e re, duhet t’i sigurojë votat e 61 deputetëve. Në zgjedhjet e 9 shkurtit, partia e tij ka siguruar 48 ulëse në Kuvend.
Deri më tani nuk ka pasur konfirmim për ndonjë koalicion të arritur, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Kurti, nga gazetarët, është pyetur sot se a i ka numrat për qeverinë e re, por ka zgjedhur të heshtë. Mirëpo, kreu i VV-së për këtë temë kishte folur gjatë javës, por jo në Kosovë.
Gatë një takimi me mërgatën në Londër, më 21 tetor, Kurti la të kuptohet se partia e tij mund të dështojë në formimin e ekzekutivit, duke u thënë se “nuk është kollaj” formimi i qeverisë, ndërsa paralajmëroi shkuarjen në zgjedhje të reja.
“… Prandaj në këto ditët e mbetura jemi duke komuniku, jemi t’u bisedu, nuk është kollaj se s’di si me ua shpjegu, ndoshta e keni ndje edhe ju vet, është intoksiku atmosfera shumë, ka shumë xhelozi, inate e cinizëm shumë më shumë se ide punë e pasion. Por, jemi ku jemi tash këtu dhe do të përpiqemi që ta bëjmë qeverinë, përndryshe por siç po duket alternativa është do të shkojmë zgjedhje prapë, ose do ta bëjmë ne qeverinë ose do të shkojmë në zgjedhje”, deklaroi Kurti gjatë javës.
Partitë politike, PDK, LDK, AAK e NISMA kanë thënë se nuk do ta votojnë një qeveri të udhëhequr nga Kurti.
Ndërsa kryetari i VV-së ka zgjedhur heshtjen, presidentja Vjosa Osmani, ka treguar se si do të veprojë nëse Albin Kurti nuk arrin ta formojë qeverinë ditën e nesërme në mungesë të votave.
Ajo ka bërë me dije se si presidente do t’i ftojë të gjitha partitë politike për të parë nëse dikush nga subjektet politike mund të krijojë shumicën parlamentare.
“Nuk dihet në qoftë se të dielën do të ketë seancë të kuvendit ose jo, sepse seanca e kuvendit ftohet vetëm në qoftë se krijohen 61 votat e nevojshme nga i mandatuari për kryeministër, zoti Kurti. Në qoftë se kjo do të ndodhë apo jo, është tërësisht në duart e partive politike dhe për momentin nuk mund të parashikoj, edhe pse e diela është shumë afër, por siç e dini rrjedhat politike në Kosovë nganjëherë janë të paparashikueshme. Pra, brenda orësh mund të ketë marrëveshje”, ka thënë Osmani për DW.
Ajo ka bërë me dije se është ende herët të flitet për zgjedhje të parakohshëm.
“Në qoftë se ka marrëveshje, mund të mbahet seanca dhe mund të ketë qeveri. Në qoftë se s’ka marrëveshje, atëherë si presidente e vendit do t’i ftoj të gjitha partitë politike për të parë nëse ka mundësi që dikush ta krijojë shumicën, sepse mendoj që është përsëri herët të flasim për zgjedhjet e jashtëzakonshme, por ajo është një alternativë në qoftë se nuk krijohet shumica”, është shprehur Osmani.
Nëse Vetëvendosje nuk arrin të sigurojë mbështetjen e 61 deputetëve për kabinetin e ri deri më 26 tetor, atëherë presidentja Vjosa Osmani është e obliguar që brenda 10 ditëve t’i ftojë në konsultim edhe një herë partitë politike, edhe të vendosë, sipas diskrecionit të saj, për mandataren e re, nëse ajo ia dëshmon se i ka numrat për të formuar Qeverinë.
Edhe mandatari i ardhshëm duhet t’i ketë 15 ditë kohë që t’ia paraqesë Kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar.
Nëse Qeveria nuk formohet as pas 40 ditësh, presidentja duhet të shpallë dekretin për zgjedhjet e reja, që duhet të mbahen dyzet ditë prej shpalljes së vendimit. /Reporteri.net/