Drejtoresha e Kulturës në Suharekë, Albulena Kokollari, e cila ishte gjithashtu kandidate për asamble komunale në zgjedhjet e 12 tetorit, po akuzohet publikisht për përfshirje në blerje votash. Në këtë rast, dyshohet se është i përfshirë edhe bashkëshorti i saj, për të cilin pretendohet se ekziston një video ku shihet duke paguar deri në 120 euro për një votë.
Kandidati për kryetar të Suharekës nga Lidhja Demokratike e Kosovës Ardian Shala, ka akuzuar zyrtarë të komunës, përfshirë edhe drejtoreshën e Kulturës, për përfshirje në blerje votash gjatë zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.
Sipas Shalës, disa nga drejtorët e kabinetit të kryetarit aktual, Bali Muharremaj, janë angazhuar në aktivitete të paligjshme për të siguruar vota në favor të tij.
Konkretisht, Shala ngriti dyshime se bashkëshorti i Drejtoreshës së Kulturës Albulena Kokollari, e cila ishte edhe kandidate për asamble ka blerë vota.
“Po flitet për burrin e drejtoreshës së Kulturës se në një farë forme krejt këta drejtorat e tij kanë blerë vota. Kanë hyrë në asamble duke blerë vota. Qytetarët këtë e dinë” ka deklaruar Shala gjatë debatit televiziv në RTK, ku u përball me Muharremajn.
Gazeta “Insajderi” raporton se behet fjalë për rastin e arrestimit të kryer më 12 tetor, kur Policia e Kosovës ka ndaluar dy persona në Suharekë nën dyshimin për “dhënie ose marrje ryshfeti në lidhje me votimet”. Gazeta online Reporteri.net kishte raportuar rreth rastit.
Në raportin 24-orësh të policisë thuhet se vota ishte blerë për shumën prej 120 eurosh.
“Prizren / 12.10.2025 – N.N. Janë shoqëruar në stacionin policor dy të dyshuar meshkuj kosovarë, njëri në cilësinë e dhënësit dhe tjetri të marrësit të një shume prej 120 euro, në mënyrë që të votohet personi i caktuar. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit palët janë liruar në procedurë të rregullt” thuhet në raportin zyrtar të policisë.
Prokuroria Themelore e Prizrenit të mërkurën nuk ka dhënë detaje nëse personi i ndaluar është bashkëshorti i Drejtoreshës së Kulturës, por deri në publikimin e shkrimit nuk kanë kthyer përgjigje.
Insajderi raporton se e ka kontaktuar edhe drejtoreshën e Kulturës në Suharekë, Albulena Kokollari, për të marrë qëndrimin e saj lidhur me akuzat. Megjithëse ajo i ka parë pyetjet e dërguara, nuk ka pranuar të japë asnjë koment.
Kokollari ishte kandidate për asamble komunale nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe, sipas rezultateve të publikuara, ka siguruar votat e nevojshme për të hyrë në Asamble.
Një medium lokal “Suhareka Online”, një ditë pas zgjedhjeve të 12 tetorit, kishte raportuar se ka siguruar materiale audio dhe video që, sipas tyre, dëshmojnë rastin e blerjes së votave.
“Suhareka Online ka siguruar audio dhe video-incizime të cilat do të publikohen së shpejti, ku shihet personi duke paguar për vota – që në këtë rast është i afërm i një kandidate për asamble komunale. Sipas dëshmive që ka siguruar redaksia, rasti ka ndodhur në njërin nga restorantet në periferi të fshatit Vraniq, ku blerësi i votave është filmuar duke i dhënë paratë nën tavolinë në këmbim të votave të dëshmuara me foto/video” citohet të ketë raportuar mediumi lokal.
Megjithatë, materialet kurrë nuk u publikuan.
