Policia e Kosovës ka bërë me dije se në vendin ku ndodhi vrasja e dyfishtë dje në Malishevë, janë gjetur dy armë zjarri që dyshohet se janë përdorur në rast. Viktimat janë dy vëllezër, e i dyshuar dhëndri i tyre, shkruan Reporteri.net.

I dyshuari, i cili u arrestua sot në mëngjes, është gjetur i plagosur. Drejtori i Policisë për Rajonin e Gjakovës, Lumni Graishta, deklaroi më herët se i njëjti dyshohet se është plagosur gjatë përleshjes me viktimat.

“Njësitë e nevojshme policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe, gjatë ekzaminimit, janë gjetur dhe sekuestruar dy armë zjarri që dyshohet të jenë përdorur në këtë rast. Në koordinim me Prokurorin e Shtetit, janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për ndriçimin e plotë të rastit dhe identifikimin e të dyshuarit. Sot, më datë 07.11.2025, rreth orës 06:25, në fshatin Pllaqicë, është arritur të arrestohet personi i dyshuar A. I. (1983), mashkull kosovar. Pas arrestimit, të dyshuarit i është ofruar trajtim mjekësor, pasi i njëjti ka pasur plagë që dyshohet të jetë shkaktuar nga arma e zjarrit. Ai është dërguar për trajtim të vazhduar mjekësor”, thuhet në njoftim.

Reklamë

Hetimet lidhur me rastin janë në zhvillim e sipër dhe po udhëhiqen “në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit.”/Reporteri.net