Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në tubimin festiv të kësaj partie në Fushë-Kosovë ku VV-ja fitoi në balotazh përball LDK-së, ka thënë se kjo komunë do ta ketë mbështetjen e Qeverisë së Kosovës dhe të tij si kryeministër.
Kurti nga Fushë-Kosova ka premtuar se Vetëvendosja do ta bëjë ndryshimin e madh me kryetarin e ri.
“Pas dy dekadave të partisë pushtet, të pushtetit parti, LVV-ja e bëri ndryshimin e madh me kryetarin e ri. Valon Prebreza do të sjellë demokraci, mirëqenie, zhvillim dhe funksionalitet, dinjitet dhe barazi për të gjithë. Këto janë zgjedhjet e katërta në të cilat VV-ja merr pjesë në garat për komunat e Kosovës. Valon Prebreza do ta ketë mbështetjen e fuqishme të parezervë, të pakursim e papushim të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe timen si kryeministër”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se VV është rritur në zgjedhjet lokale që nga viti 2013 kur ka garuar për herë të parë, ku kishte fituar një komunë, kurse në zgjedhjet këtij viti ka fituar 7 komuna.
“Këto janë zgjedhjet e katërta lokale që VV merr pjesë, në vitin 2013 për herë të parë e fituam një komunë, në vitin 2017 fituam tre komuna, në vitin 2021 fituam katër komuna, kurse në vitin 2025 fituam shtatë komuna”, ka deklaruar Kurti. /Reporteri.net/.