Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se do të paraqesë ankesë në PZAP, rreth dyshimeve për manipulim dhe keqpërdorim të fletëvotimeve në Mitrovicën e Jugut.
Betim Gjoshi nga kjo parti, nëpërmjet një statusi në Facebook, ka bërë të ditur se ankesa do të bëhet sot.
“Sot, në mbrojtje të vullnetit të qytetarëve të Mitrovicës, Partia Demokratike e Kosovës do të dorëzojë brenda afatit ligjor ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa”, ka shkruar Gjoshi.
Sipas tij, vota është e shenjtë në demokraci dhe PDK është e vendosur për të mbrojtur integritetin e zgjedhjeve.
Kujtojmë se Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka urdhëruar mbrëmë që përkohësisht te ndërpritet procesi i mëtejmë i numërimit të fletëvotimeve në Qendrën Komunale të Numërimit në komunën e Mitrovicës.
Në njoftim është thënë se ka pasur pretendime për manipulim me fletëvotime dhe do të pritet deri në marrjen e përgjigjes zyrtare nga operatori ekonomik që i ka shtypur fletëvotimet, për të sqaruar numrat e ndryshëm serikë në disa fletëvotime. /Reporteri.net/