×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lokalet 2025

    Përmbyllet verifikimi i rezultateve në 15 qendra komunale, në Mitrovicë procesi vazhdon të jetë “i pezulluar”

    Reporteri
    11 Nëntor 2025 | 13:47

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se në Mitrovicë të Jugut  nuk është duke vazhduar procesi i verifikimit të rezultateve, pas vendimit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë për të ndërprerë procesin.

    KQZ-ja njofton se deri në orën 13:00 të së martës, është përmbyllur verifikimi i rezultateve të raundit të dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave në 15 Qendra Komunale të Numërimit: Junik, Mamushë, Kllokot, Obiliq, Klinë, Vushtrri, Dragash, Rahovec, Gjakovë, Gjilan, Fushë Kosovë, Suharekë, Kaçanik, Prishtinë dhe Viti.

    Procesi i verifikimit po vazhdon në 2 komuna të tjera, bën të ditur KQZ-ja.

    Po ashtu bëhet e ditur se të martën, në orën 14:00, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve do të bëhet rinumërimi i 41 vendvotimeve me kërkesë të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

    Vendvotimet që do të rinumërohen i takojnë zgjedhjeve për Kuvendin Komunal në Gllogoc.

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka urdhëruar mbrëmë që përkohësisht te ndërpritet procesi i mëtejmë i numërimit të fletëvotimeve në Qendrën Komunale të Numërimit në komunën e Mitrovicës.

    Në njoftim është thënë se ka pasur pretendime për manipulim me fletëvotime dhe do të pritet deri në marrjen e përgjigjes zyrtare nga operatori ekonomik që i ka shtypur fletëvotimet, për të sqaruar numrat e ndryshëm serikë në disa fletëvotime.

    Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar që kjo komunë të shkojë në rivotim, ndërkaq Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se sot gjatë ditës ka pranuar sqarim zyrtart lidhur me gabimin e evidentuar në disa fletëvotime të zgjedhjeve lokale të 9 nëntorit 2025 në Mitrovicë të Jugut dhe Gjakovë.

    Në njoftim thuhet se pas pranimit të fotografive që tregonin gabimin, kompania ka zhvilluar një hetim të plotë të procesit të prodhimit dhe përgatitjes së të dhënave.

    KQZ thotë se “hetimi ka zbuluar se problemi ka ndodhur vetëm në një nga katër kokat e printerit që shtyp numrin e vendvotimit, përderisa sistemi i kontrollit monitoron vetëm numrin serik (QR kodin), ndaj gabimi nuk është detektuar gjatë shtypjes”.

    “CETIS thekson se merr plotësisht përgjegjësinë për këtë gabim teknik, duke nënvizuar se fletëvotimet përmbajnë elemente të shumta sigurie që e bëjnë të pamundur falsifikimin ose kopjimin e tyre. Kompania shpreh keqardhje të thellë për incidentin dhe konfirmon se mbetet në dispozicion të plotë të KQZ-së për çdo ndihmë në hetimin dhe verifikimin e fletëvotimeve për të sqaruar rrethanat e rastit”, thuhet në njoftimin e KQZ-së. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!