“Kur shteti bllokohet, qytetet si Suhareka mbeten pa investime, projekte dhe përkrahje”, ka deklaruar i pari i LDK-së, njëherësh kandidati për Kryeministër Lumir Abdixhiku, gjatë tubimit në Suharekë.

Ai kritikoi çasjen e qeverisë në detyrë karshi zhvillimit, dhe jo vetëm.

“Viti i fundit ka qenë vit i bllokadës institucionale, ndërsa pesë vitet e fundit kanë qenë vite të humbura për Kosovën. Institucionet janë paralizuar. Vendimmarrja është bllokuar”, tha ai.

Reklamë

Abdixhiku po ashtu potencoi se konfliktet politike dhe shkeljet kushtetuese kanë prodhuar pasiguri.

Gjatë këtij takimi ai ka prezantuar programin dhe premtimet për qytetarët e komunës së Suharekës.

Ai tha se synon përmirësimin e arsimit dhe shërbimeve sociale, përfshirë mësim tërëditor, çerdhe të reja, paketën për të porsalindurit, pensione prej 300 eurosh, paga 1 mijë euro për mësuesit, si dhe investime në rrugë, energjetikë, turizëm dhe bujqësi.

Ai tha se këto zotime janë pjesë e planit për adresimin e sfidave të përditshme të qytetarëve dhe për sigurimin e zhvillimit të qëndrueshëm në Suharekë.