Kandidatja për deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Rrezarta Krasniqi, ka kritikuar Qeverinë e Vetëvendosjes, duke thënë se vendi është dëmtuar financiarisht nga masat BE-së, të cilat tashmë janë paralajmëruar se do të hiqen deri në fund të janarit, duke shkaktuar mbi 818 milionë euro humbje për Kosovën.
Sipas Krasniqit, gjatë mbi 900 ditëve të qeverisjes, masat e VV-së kanë bllokuar zhvillimin dhe investimet e Kosovës, ndërsa shtetet fqinje si Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe të tjera kanë përfituar nga projektet e Bashkimit Evropian.
“Ndërkohë që ne kemi qenë të bllokuar, shtetet si Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe të tjera kanë përfituar mbi 900 milion euro projekte në kuadër të planit të rritjes së Bashkimit Evropian. Kjo është një dëshmi e fuqishme e dështimit të qeverisë aktuale.”, ka thënë ajo.
Krasniqi ka theksuar se LDK-ja është e gatshme të udhëheqë vendin drejt zhvillimit dhe bashkëpunimit me aleatët ndërkombëtarë dhe ka bërë thirrje që qytetarët të votojnë më 28 dhjetor për ndryshim dhe për të përmbyllur bllokadën.
Ky pushtet, sipas Krasniqit, ka ditët e numëruara.
“Më 28 dhjetor, qytetarët do të votojnë kundër bllokadës. LDK do ta drejtojë Kosovën drejt zhvillimit dhe bashkëpunimit me vendet aleate. Ndryshimi i madh po vjen dhe këtë nuk do ta ndalë askush.”, tha ajo.