Mbi 74 për qind e vendvotimeve në Kosovë janë numëruar deri më tani, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se procesi i numërimit do të vazhdojë sot në 11 komuna të vendit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se procesi i numërimit të votave do të vazhdojë sot, duke filluar nga ora 16:00, në 11 Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) në komunat: Prishtinë, Pejë, Prizren, Podujevë, Mitrovicë e Jugut, Gjakovë, Malishevë, Lipjan, Gjilan, Ferizaj dhe Suharekë.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), deri tani janë numëruar mbi 78% e votave, apo 2,009 nga 2,557 vendvotime sa janë gjithse.

Reklamë

Rezultatet e deritanishme tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka fituar gati 334 mijë vota, duke ruajtur një përqindje prej 48.48%.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) qëndron tek 21.72% me 150 mijë vota, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka arritur mbi 87 mijë vota, afërsisht 13%.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka siguruar mbi 38 mijë vota, ose 5.61%, duke siguruar praninë në Kuvend, ndërsa NISMA mbetet me rreth 12 mijë vota (1.68%), jashtë pragut për të hyrë në Kuvend.