Gazetarja Edina Avdiu njoftoi sonte se kontrata e saj me Radio Televizionin e Kosovës i është ndërprerë në muajin e pestë të shtatzënisë. Ajo përmes një postimi në Facebook ka shkruar vendimi nuk lidhet me performancën e saj, pasi ajo kishte marrë vlerësime pozitive gjatë tre viteve të angazhimit në redaksinë e lajmeve, por siç pohon është rezultat i presionit politik dhe ndërhyrjes së ushtruesit të detyrës së kryeredaktorit, Blerim Haxhiaj, shkruan Reporteri.net.
Pas këtij njoftimi nga gazetarja Avdiu, kanë reaguar deputetë të Kuvendit të Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, por jo vetëm.
Nga PDK kanë reaguar deputetet Vlora Çitaku dhe Blerta Deliu, kurse nga LDK, deputetja Hykmete Bajrami.
Deputetja dhe nënkryetarja e Partia Demokratike e Kosovës, Vlora Çitaku, ka shprehur mbështetje të plotë për gazetaren Avdiu, duke e cilësuar largimin e saj nga puna goditje ndaj lirisë së medias dhe demokracisë.
“Me Edinën deri në fund. Pa kompromis. Të penalizohet një gazetare vetëm pse përpiqet ta bëjë punën e saj është as më pak e as më shumë se diktat. Kur pushteti frikësohet nga pyetjet, problemi nuk është tek gazetaria, por tek pushteti. Liria e fjalës nuk është privilegj. Është themel i demokracisë. Ky popull nuk e ka duruar kurrë diktatin.
Nuk je vet, Edine. Solidariteti ynë është më i fortë se çdo presion”, ka shkruar Çitaku.
Kurse, deputetja tjetër e PDK-së, Blerta Deliu Kodra, në reagimin e saj ka shkruar se nga RTK-ja është larguar një zë i pavarur dhe një gazetare që ka punuar me pasion dhe integritet për publikun.
“Sonte largohet nga RTK-ja një zë i pavarur: Edina Avdiu, gazetare që ka punuar me pasion dhe integritet për publikun. Jo për shkak të punës së saj, por sepse nuk iu nënshtrua presionit politik. Ky largim nuk prek vetëm Edinën, prek secilin që beson se media publike duhet të jetë për të gjithë, jo për partitë në pushtet. Madje, ndodhi edhe gjatë shtatzënisë së saj, një akt i papranueshëm dhe i paimagjinueshëm. Publiku duhet të dijë: për çdo gazetar të larguar, prapa ka interes politik, jo faj personal”, ka shkruar Deliu-Kodra,.
Edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj largimit nga puna të gazetares Edina Avdiu nga RTK duke e cilësuar këtë akt si goditje direkte ndaj lirisë së medias dhe pavarësisë së saj.
Ajo tutje thotë se nëse ka drejtësi në këtë shtet, Edina do të kthehet në RTK, e RTK-ja do t’i kthehet publikut, shkruan Reporteri.net.
“Akti i largimit nga puna i gazetarës Edina Avdiut është sulm i hapur ndaj lirisë së shtypit dhe pavarësisë së mediave në Kosovë. Edina Avdiu, gazetare e guximshme, largohet nga RTK pas tre vitesh vetëm se refuzoi të bëhej zëdhënëse e propagandës së pushtetit. Po, Kurti jep shtesa për lehona, por nuk i mirëkupton gratë që nuk pajtohen me të, që i bëjnë pyetje të vështira e kërkojnë argumente në vend të propagandës. Këta që veten e quajnë “qeveri e popullit”, popullin e duan vetëm për vota e duartrokitje. Nëse nuk pajtohesh me ata, të konsiderojnë armik”.
“Edina Avdiu, në muajin e 5-të të shtatzënisë, largohet nga RTK-ja sepse refuzoi të lexojë tekstet e hartuara në kuzhinën e LVV-së. Kurti dhe LVV e duan Edinën jo si gazetare, por si amvise që jeton me social. Në një shtet normal, gazetarët si Edina do të mbroheshin, jo të largoheshin nga puna gjatë shtatzënisë për shkak të pyetjeve të drejtpërdrejta dhe sfidimit të propagandës. Nëse ka drejtësi në këtë shtet, Edina do të kthehet në RTK, e RTK-ja do t’i kthehet publikut”, ka shkruar Bajrami.