×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme / Kreu i PDK-së

    Hamza takohet me Kurtin: Presidenti duhet të jetë figurë uniteti, jo produkt i kalkulimeve partiake

    Reporteri
    22 Shkurt 2026 | 19:06

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se i është përgjigjur pozitivisht ftesës së Kryeministrit Albin Kurti për të diskutuar mbi zhvillimet politike dhe procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit.

    Hamza theksoi se zgjedhja e Presidentit nuk është çështje e një partie të vetme, por përgjegjësi e përbashkët e të gjithë përfaqësuesve të zgjedhur të qytetarëve.

    “Sot iu përgjigja pozitivisht ftesës për takim, sepse zgjedhja e Presidentit është çështje që i përket të gjithëve neve si përfaqësues të popullit,” u shpreh ai.

    Kreu i PDK-së nënvizoi se si subjekt opozitar, partia që ai drejton nuk ka qenë dhe nuk do të jetë pengesë e proceseve shtetërore. Megjithatë, ai sqaroi se PDK nuk do të mbështesë kandidatura që, sipas tij, nuk përfaqësojnë unitetin qytetar dhe frymën kushtetuese.

    Hamza apeloi për reflektim nga ana e atyre që kanë përgjegjësinë kushtetuese për të propozuar kandidaturën për President, duke kërkuar që të shmangen kalkulimet afatshkurtra partiake dhe të synohet një emër me mbështetje të gjerë politike e qytetare.

    “Stabiliteti institucional është jetik dhe duhet të trajtohet si i tillë. Për ne, interesi shtetëror është mbi çdo kalkulim politik dhe këtë standard e mbrojmë me vendosmëri,” përfundoi ai.

    Edhe Qeveria e Kosovës ka njoftuar për takimin që Kurti zhvilloi sot me Hamzën.

    Në  njoftimin e Qeverisë thuhet se Kurti falënderoi kryetarin Hamza për bashkëpunimin në Kuvend me rastin e votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.

    Kryetari Hamza shprehu gatishmërinë për koordinim parlamentar për çështje të interesit shtetëror e kombëtar.

    Tutje në njoftim thuhet se u diskutua për zhvillimet politike në vend e më gjerë dhe nevojën për të hapur një kapitull të ri të komunikimit dhe dialogut konstruktiv qeveri-opozitë në të mirë të Republikës dhe pluralizmit partiak e demokratik.

    “Natyrisht, temë e bisedës ishte edhe çështja e zgjedhjes së Presidentit për çfarë kanë mbetur vetëm edhe 10 ditë kohë në bazë të afateve kushtetuese. U konstatua që bashkëpunimi është i nevojshëm, duke qenë se duhen së paku 2/3 e deputetëve të Kuvendit për votim të suksesshëm”, thuhet në njoftim.

    Tutje Qeveria bën tëditur se kryeministri Kurti nesër do të takojë Kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

    /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!