×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Raporto
  • Hulumtime / Dyshimet serioze

    Tenderi 16 milionësh i MI’së që u dha një ditë pas zgjedhjeve, përfundon në OSHP: Akuza për konflikt interesi e paracaktim të fituesve

    Autor:Arjeta Shabani
    25 Shkurt 2026 | 18:10

    Tenderi rreth 16 milionësh i Ministrisë së Infrastrukturës për mirëmbajtjen e autostradave, ka përfunduar në “Gjykatën e Tenderëve”. Për këtë tender janë ngritur dyshime për konflikt interesi, favorizime e caktim të fituesve paraprakisht dhe zhvillim të procedurave veç “sa për sy e faqe”. Organi Shqyrtues i Prokurimit ende nuk ka marrë vendim për ankesat, teksa eksperti ka rekomanduar që njëri nga lotet të kthehet në rivlerësim.

    Një ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 28 dhjetorit, Ministria e Infrastrukturës, atë kohë, në krye me Hysen Durmishin, ka përzgjedhur kompanitë që do të mirëmbajnë autostradat “Ibrahim Rugova” dhe “Arbën Xhaferi”, për tri vitet e ardhshme.

    Për këtë tender më vlerë të parashikuar prej 15 milionë e 942 mijë euro, e të ndarë në katër pjesë, janë dorëzuar mbi 30 oferta. Kompanitë e njëjta kanë ofertuar për pothuajse secilin lot.

    Ofertat janë vlerësuar nga Komisioni në krye me Vigan Sylën, zyrtar në MI që nga tetori i vitit 2024. Për të njëjtin, një prej kompanive që ka ofertuar ka ngritur dyshime për konflikt interesi, duke pretenduar se ai ka përfaqësuar një prej kompanive të rekomanduara për kontratë, lidhur me një tender tjetër poashtu të MI’së.

    Me një vendim të marrë më 29 dhjetor, Ministria e Infrastrukturës, ka rekomanduar për kontratë katër grupe operatorësh ekonomikë. Dy nga kompanitë e rekomanduara, janë të familjes Shabani – “Bageri SH.P.K” dhe “Dio Bes SH.P.K”, të lidhura me ish-ministrin Hysen Durmishi.

    Dy lotet e para janë për mirëmbajtjen rutinore dhe dimërore të Autostradës “Ibrahim Rugova”, ndërsa dy të fundit për “Arbën Xhaferin”.

    Për Lot 1, me vlerë të parashikuar të kontratës rreth 4 milionë e 986 mijë euro, është rekomanduar grupi i operatorëve ekonomikë “Lika Company&Lika Trade”, ndërsa për Lot 2 me vlerë të parashikuar të kontratës prej 3 milionë e 675 mijë euro, janë rekomanduar konserciumi “Arbotec SH.P.K.; DELTA – CCD SH.P.K.; Rinesa SH.P.K”.

    Për Lot 3, me vlerë të parashikuar të kontratës prej 4 milionë e 47 mijë euro, është rekomanduar grup i operatorëve Ekonomik “BAGERI SH.P.K.; ILEAA – GR SH.P.K.; EL-BAU SH.P.K”, ndërsa për Lot 4, me vlerë të parashikuar të kontratës 3 milionë e 234 mijë euro, “EUROKOS HOLDING SH.P.K.; VIA; Dio Bes SH.P.K”.

    Të pakënaqura me vendimin e Ministrisë së Infrastrukturës, katër kompani tenderuese i janë drejtuar Organit Shqyrtues me ankesa. Ankesat janë dorëzuar nga 19 deri më 23 janar 2026.

    Dyshimet: Kryetari i Komisionit në konflikt interesi

    Në ankesën e dorëzuar nga kompania “Famis CO-HC”, pretendohet se ka konflikt interesi në këtë tender, saktësisht për Lot 1, për të cilin është rekomanduar për kontratë grupi i operatorëve ekonomikë “Lika Company&Lika Trade”.

    “Famis Co-HC” pretendon se Kryetari i Komisionit të Vlerësimit, Vigan Syla, ka përfaqësuar operatorin e propozuar për kontratë në takime me kompaninë mbikëqyrëse të kontratës publike “Zgjerimi i Rrugës Nacionale N9-Segmenti Kijevë-Dollc, Loti 1,2,3,4(Lot 3)” dhe se kjo – sipas ankuesit – përbën konflikt interesi.

    “Në kuadër të këtyre takimeve, Kryetari aktual i Komisionit Vlerësues ka marrë pjesë dhe ka vepruar si përfaqësues i operatorit ekonomik të rekomanduar për kontratë në Lot 1, së paku deri në muajin tetor 2024. Kjo rrethanë përbën fakt relevant dhe material për ekzistencën e një marrëdhënieje profesionale të drejtpërdrejtë dhe të afërt në kohë me operatorin ekonomik të vlerësuar…”, thuhet në ankesë.

    Sipas “Famis CO-HC”, ekziston konflikt real interesi që cenon objektivitetin dhe paanshmërinë e procesit të vlerësimit në këtë tender.

    Nga OSHP është kërkuar që të obligojë Autoritetin Kontraktues të sigurojë dhe të vërë në dispozicion procesverbalet e takimeve të zhvilluara ndërmjet kompanisë mbikëqyrëse të kontratës publike për zgjerimin e rrugës Nacionale N9, Segmenti Kijevë-Dollc, Lotin 3.

    Gazeta Online Reporteri.net e ka kontaktuar këtë kompani edhe përmes telefonit, edhe përmes e-mailit, duke i kërkuar të ofrojë dëshmitë/dokumentet që posedon mbi këto pretendime, por deri në publikimin e artikullit nuk ka marrë përgjigje.

    Përgjigje lidhur me pretendimet e ngritura nuk ka kthyer as Ministria e Infrastrukturës, ndonëse kërkesa e mediumit i është ripërsëritur disa herë.

    Nga ana tjetër, Vigan Syla, i kontaktuar nga Reporteri.net, e ka mohuar se ka punuar ndonjëherë për kompaninë Lika Tade apo ta ketë përfaqësuar këtë kompani, ashtu siç pretendon kompania “Famis CO-HC” në ankesën në OSHP.

    “Nuk kam punu kurrë, asnjëherë”, ka deklaruar kryesuesi i komisionit të vlerësimit të tenderit.

    Ai ka thënë se është në dijeni të pretendimit të kompanisë, por se sipas tij nuk qëndron.

    “E di pretendimin, e kam lexu. Nuk është e vërtetë fare. E kam lexu pretendimin ngaqë kam qenë Kryetar i Komisionit të Vlerësimit, edhe e kam pa kur e ka bë ankesën ai, por nuk është e vërtetë”.

    Sipas tij, kjo mund të verifikohet lehtë.

    “1 milion përqind. Këto janë të dhëna që mund të nxjerren në ATK, në xhirollogari bankare, janë të dhëna lehtë të verifikueshme, në TRUST”.

    Por, si erdhi deri të përzgjedhja e tij si Kryetar i Komisionit. Ai thotë se në komision propozohen emra për të cilët mendohet se mund ta kryejnë një procedurë të caktuar prokurimi.

    “Komisioni përzgjedhet nga Ministria. Me vendim të Sekretarit përzgjedhet Komisioni, me propozim të personave që ua merr mendja që munden me kry një procedurë të caktume, jo veç për këtë procedurë por për të gjitha procedurat, përzgjedhja është e njëjtë. Proces i Ministrisë është”, ka deklaruar Syla për Reporteri.net.

    Gazeta Online Reporteri.net ka dërguar pyetje edhe tek biznesi me të cilin pretendohet se Syla ka konflikt interesi, por deri në publikimin e artikullit s’ka marrë përgjigje.

    “Standarde të dyfishta”

    Ankesën tjetër “Famis CO HC” e ka për Lot 2. Në dokument pretendohet se grupi i operatorëve ekonomik i rekomanduar për kontratë, nuk i ka përmbushur kërkesat e dosjes së tenderit, saktësisht për kriteret për menaxherin e projektit.

    “Famis CO-HC” pretendon se janë përdorur standarde të dyfishta, meqë për të njëjtën kërkesë që është eliminuar, kompanisë së rekomanduar për kontratë i është pranuar si kriter i plotësuar.

    “GOE ka prezantuar si Menaxher Ing. Blerim Bujupi. Në CV e ing BB, nuk ka fare asnjë projekt sipas kërkesës. Komisioni e Vlerësimit në këtë rast ka përdor STANDARDE TË DYFISHTA sepse për të njejtën kërkesë ka eliminuar kompaninë tonë ndërsa të njejtën ia ka pranuar si kriter të plotësuar GOE ARBOTEC SH.P.K.; DELTA CCD SH.P.K. ; RINESA SH.P.K.. Komisioni i Vlerësimit ka eliminuar kompaninë tonë me arsyetimin se: “Tek Menaxheri i Projektit CV e dorëzuar nuk I përmbush kërkesat për arsye se ne CV nuk ka te prezantuar projekte sipas kërkesës” ndërsa asnjë projekt nuk ka të prezantuar dhe Menaxheri i GOE të propozuar për kontratë në CV e tij”, theksohet në dokument.

    Pretendimet tjera janë edhe se GOE i propozuar për kontratë për Lot 2 nuk e ka përmbushur as kriterin për udhëheqës të punishtes për çka kërkohej inxhinier i diplomuar i ndërtimtarisë, as kriterin për inxhinier të diplomuar të komunikacionit dhe për inxhinierin e gjeodezisë.

    “Fituesit janë përcaktuar paraprakisht”

    Ankesë ka dorëzuar edhe kompania “2A-GROUP”, në pronësi të biznesmenit Valon Ademi, emri i të cilit është përmendur muajve të fundit në Shqipëri për shkak se u lidh me disa investime të përfolura rreth Aeroportit të Vlorës.

    Kjo kompani ka akuzuar autoritetin kontraktues për favorizime, duke pretenduar se fituesit janë përcaktuar paraprakisht.

    “Si AK ka braktisur plotësisht detyrimin e tij ligjor për shpenzim racional, efikas dhe ekonomik të parasë publike dhe e ka shndërruar procesin e prokurimit në një mekanizëm të qëllimshëm favorizimi, ku fituesit janë përcaktuar paraprakisht, ndërsa tenderues të përgjegjshëm – si ne – janë eliminuar me arsyetime artificiale, të sajuara dhe të ndërtuara pas faktit. Ky nuk është proces vlerësimi, por skenar i ndërtuar për të prodhuar një rezultat të paracaktuar”, theksohet në ankesë.

    Aty pretendohet se trajtimi i tenderuesve ka qenë i pabarabartë, selektiv dhe diskriminues.

    “AK ka zbatuar standarde të dyfishta: ka shpikur kritere dhe ka aplikuar interpretime ekstreme vetëm për eliminimin tonë, ndërkohë që ka toleruar pa asnjë hezitim mangësi serioze dhe thelbësore te ofertuesit e shpallur fitues”, thuhet në ankesën e dorëzuar në OSHP.

    Për kompaninë e rekomanduar për Lot 1, thuhet se nuk i ka përmbushur kërkesat e dosjes.

    “Mangësitë e tenderit të Grupit të OE “Lika Company SH.P.K. & Lika Trade Sh.P.K.” janë të qarta dhe të papranueshme, dhe AK vetë ka vendosur standarde që nuk i ka zbatuar në mënyrë të barabartë. Ky grup i OE-ve nuk ka paraqitur planin e veprimit dhe shpërndarjes së kripës për asnjërin lot, siç kërkohej qartë nga dosja e tenderit, dhe për më tepër ka evidentuar mangësi të tjera të rëndësishme, për të cilat nuk ka marrë asnjë masë AK”.

    Edhe për Lot 2, pretendohet se ka mangësi dhe se janë bërë manipulime tek raporti i veprimit dhe shpërndarjes së kripës, duke zvogëluar artificialisht kilometrat e rrugëvë për të arritur kohën e veprimit prej 1.5 orësh.

    “…shpërblimi i këtij tenderuesi me kontratë për Lot-in 2 është një veprim arbitrar, i padrejtë dhe në shkelje të hapur të nenit 59 të Ligjit për Prokurimin Publik (LPP). Ky veprim dëshmon favorizim të paligjshëm dhe trajtim selektiv, duke dëmtuar rëndë tenderuesit e tjerë që i plotësojnë të gjitha kriteret e kërkuara dhe duke minuar besueshmërinë e sistemit të prokurimit publik”, thuhet në ankesë.

    Sipas “2A-Group SH.P.K”, mangësi kanë pasur edhe grupi i operatorëve ekonomikë të rekomanduar për Lot 3 dhe Lot 4.

    Në ankesë thuhet se “BAGERI SH.P.K. & ILEAA – GR SH.P.K. & ELBAU SH.P.K.”, se për të gjitha lotet ku ka ofertuar kjo kompani, plani i kripës dhe kalukimi i sasive të kripës mungon, koha e reagimin nuk është kalkuluar si duhet, ndërsa tek Lot 2 ka intervenuar në formularin standard tek lista e çmimeve, duke e fshirë sasinë e kërkuar tek pozicioni 5.5, në kundërshtim me Ligjin.

    Për Lot 3, për të cilin është rekomanduar për kontratë ky GOE, kompania ankuese e akuzon autoritetin kontraktues se ka manipuluar procesin e vlerësimit, duke shpallur fituese një ofertë që është 23.98% më e shtrenjtë.

    “Edhe kjo diferencë, në një tender ku kriteri i vetëm është çmimi, përbën shkelje të drejtpërdrejtë të kriterit të përzgjedhjes. Ky veprim dëshmon se AK ka manipuluar vlerësimin për të justifikuar një rezultat të paracaktuar, duke e përdorur procedurën vetëm si mbulesë formale për një vendim të marrë paraprakisht, në kundërshtim flagrant me ligjin”, theksohet në ankesë.

    “Loti 4, prova më e fortë e planifikimit paraprak të fituesit”

    Tek Loti i fundit, për të cilin është rekomanduar Grupi i OE “EUROKOS HOLDING SH.P.K. & VIA SH.P.K. & Dio Bes SH.P.K..,”, pretendohet se ka ndërhyrë në paramasë.

    Ky lot thuhet se është prova më e fortë, se fituesi është planifikuar paraprakisht.

    “Te pozicioni 5.5 është fshirë sasia e vendosur nga AK, tutje është ndryshuar edhe numri rendor nga 5.5 në 5.3 duket ndryshuar të gjitha numrat rendor ne vazhdimsi deri tek pika 5.6.2. Lot 4 përfaqëson rastin më ekstrem dhe provën më të fortë të planifikimit paraprak të fituesit, në kundërshtim të hapur me Ligjin për Prokurimin Publik. Oferta jonë me çmim 114.35 €, si oferta më e ulët dhe e përgjegjshme, është refuzuar, ndërsa është shpallur fituese një ofertë me vlerë 270.98 €, që është 136.97% më e shtrenjtë”, thuhet në ankesë.

    Sipas kësaj kompanie, vendimi i AK’së hynë në sferën e abuzimit të qëllimshëm dhe të planifikuar me detyrën zyrtare.

    “U rekomanduan për kontratë ofertat me çmimet më të larta”

    Në OSHP është ankuar edhe kompania “Damastion Project Sh.P.K”, e cila kishte ofertuar për dy lotet e fundit.

    Për Lotin 3, për të cilin është rekomanduar për kontratë “Bageri SH.P.K. & Ileaa-Gr SH.P.K. & El-Bau SH.P.K”, kjo kompani pretendon se nuk ka ofruar dëshmi që posedojnë mjete të gatshme financiare për realizimin e kontratës, apo letërpërkrahje për qasje të pakushtëzuar në kredi duke emëruar projektin për çka lejohet kredia, që ka qenë kriter.

    Pretendimi tjetër është se ky GOE ka paraqitur të dhëna të rrejshme në referencën e lëshuar për Menaxherin e Projektit, si dhe se nuk ka përmbushur kërkesat minimale të përcaktuara në dosjen e tenderit për kapacitetet teknike dhe profesionale.

    Aty theksohet se janë rekomanduar për kontratë ofertat me çmime më të larta.

    “AK në kundërshtim me Nenin 1, Nenin 6 të LPP-së dhe Nenin 18.7 të RRPP-së e ka rekomanduar për kontratë operatorin me ofertën e tijë me çmim më të lartë në Lot 3 sesa në Lot 2, duke mos përdorur fondet publike në formë të drejtë, transparente dhe ekonomike”, thuhet në ankesë.

    Pretendimi i njëjtë është edhe për Lot 4.

    “GOE fitues “Arbotec SH.P.K. & DELTA-CCD SH.P.K. & Rinesa SH.P.K.”, ka ofruar çmim njësi më të ulët në LOT 4 në vlerë prej 122.83 euro, kurse Autoriteti Kontraktues e ka rekomanduar për kontratë ofertën e tij me çmim më të lartë në LOT 2 në vlerë prej 184.86 euro, apo 62.03 euro më të lartë për çmim njësi për shërbimet dhe artikujt e njëjtë”.

    Për të dy këto lote, kjo kompani i ka kërkuar OSHP’së që t’i kthejë në rivlerësim.

    Ankesa tjetër është e kompanisë “B Famis Sh.p.k”, me pretendimet se janë eliminuar kundërligjshëm dhe për grupin e operatorëve të rekomanduar për Lot 1.

    Aty thuhet se ky GOE nuk i ka përmbushur kërkesat e dosjes së tenderit dhe se është dashur të eliminohet.

    “GEO i rekomanduar qëllimisht nuk ka paraqitur komplet KM te segmentit nga baza e tijë në Miradi të Epërme deri në Morinë, sepse bazuar në kërkesën e FDT pika 7, koha e paraqitur nga GOE i rekomanduar nuk është 1.5 orë siq është kërkesa e FDT-së, por segmenti përfshirë rrugën e vdekur dhe rrugën efektive përshkohet për së paku 4 orë dhe tejkalohet kërkesa e DT prej 1.5 orë”, pretendohet në ankesë.

    Edhe te kërkesa për Planin e Veprimit nr.7 të FDT-së, pretendohet se kjo kompani ka ofruar të dhëna të pa sakta, kontradiktore dhe “të cilat nuk përputhen në mes të Kohës së Reagimit dhe Planit të Veprimit si dhe NUK ka ofruar fare të dhëna në tabelë për secilin kamion siq është kërkuar me FDT”.

    Zyrtari i prokurimit në Gjilanin e VV-së, ekspert për t’i shqyrtuar ankesat

    Për t’i shqyrtuar këto ankesa në OSHP, është përzgjedhur eksperti Kujtim Bajrami, i cili është zyrtar i prokurimit në Komunën e Gjilanit, komunë që sikurse Ministria udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje.

    Bajrami nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetës, që i janë përcjellë përmes e-mailit të zyrës së prokurimit në Gjilan, pavarësisht se i janë ripërsëritur disa herë.

    Për mënyrën se si është përzgjedhur Bajrami, është deklaruar Organi Shqyrtues i Prokurimit.

    Në një përgjigje për Reporteri.net, OSHP ka thënë se Bajrami është përzgjedhur në mënyrë automatike përmes Sistemit të Menaxhimit të Lëndëve.

    “Lidhur me pyetjen tuaj, ju njofton se pas pranimit të ankesës përmes sistemit të e-prokurimit dhe konfirmimit se ankesa është në rregull proceduralisht, në mënyrë automatike përmes sistemit SML (Sistemi i Menaxhimit të Lëndëve), është caktuar eksperti shqyrtues për shqyrtimin e pretendimeve ankimore të ankesave të përshkruara si më sipër”, thuhet në përgjigjen e OSHP’së.

    Siç merr vesh Reporteri.net, ekspertiza është dorëzuar në OSHP, në orët e vona të së dielës të 8 shkurtit 2026.

    OSHP nuk e ka konfirmuar këtë informacion, vetëm ka thënë se raporti është dorëzuar në përputhje me Ligjin për Prokurimin Publik.

    Se a mund të ketë konflikt interesi në këtë rast, marrë parasysh funksionin publik të Bajramit në Komunën e Gjilanit që udhëhiqet nga Alban Hyseni i VV’së, OSHP ka thënë se të gjithë ekspertet nënshkruajnë deklaratën e betimit që i obligon të deklarohen nëse kanë konflikt interesi.

    “Poashtu, ju njoftojmë se bazuar në Rregulloren e punës së OSHP-së, të gjithë ekspertet shqyrtues dhe teknik, në rastin e nënshkrimit të kontratës me Organin shqyrtues të prokurimit, nënshkruajnë edhe deklaratën nënbetim, e cila i obligon të gjithë ekspertet të deklarohen ne raste se kanë konflikt të interesit siç parashihet edhe me legjislacionin në fuqi”.

    Rekomandimet e ekspertit

    Për ankesën e kompanisë “Famis CO HC”, eksperti shqyrtues ka rekomanduar që aprovohet si pjesërisht e bazuar dhe që Lot 2 të ktehet në rivlerësim, ndërsa vendimi për Lot 1 të mbetet në fuqi.

    “Sa i përket Lot 1 , rekomandohet që të mbetet në fuqi vendimi i Autoritetit Kontraktues lidhur me këtë aktivitet të prokurimit, ndërsa për Lotin 2 ( për arsyet e shtjelluara në pretendimin nr. 4) rekomandohet që çështja të kthehet në rivlerësim”, thuhet në ekspertizë.

    Lidhur me pretendimin për konflikt interesi për Kryetarin e Komisionit të Vlerësimit, eksperti ka thënë se “është vetëm paragjykues” dhe se kompania nuk ka sjellë asnjë provë apo fakt të argumentuar.

    “… prandaj ne cilesi te ekspertit shqyrtues nuk kemi mundesi teknik/profesional dhe as kompetenca/autorizim të përgjigjiem apo të japim ndonjë vleresim lidhur me këto pretendime paragjykuse, dhe OE për çdo rast mund t’i drejtohet organeve kompetente/relevante”, ka vlerësuar eksperti.

    Ndërkohë, Lot 2 është rekomanduar të kthehet në rivlerësim, pas pretendimit për mospërmbushje të kritereve kualifikuese nga grupi i operatorëve ekonomikë i rekomanduar për kontratë, kokretisht për Menaxherin e Projektit.

    “Në këto rrethana, nuk rezulton se GOE i rekomanduar ka dëshmuar në mënyrë të plotë dhe të pakontestueshme përmbushjen e kriterit të kërkuar për Menaxherin e Projektit. Po ashtu, duke qenë se për të njëjtën kërkesë AK ka eliminuar OE ankues me arsyetimin se në CV nuk janë paraqitur projektet sipas kërkesës, ndërsa për GOE të rekomanduar ka pranuar dokumentacion me mangësi të natyrës së njëjtë, konstatohet mungesë e konsistencës në zbatimin e kritereve të vlerësimit”.

    Rekomandim që Lot 2 të kthehet në rivlerësim, ekperti ka dhënë edhe në ankesën e “2A Group SH.P.K”, teksa për tri lotet tjera është rekomanduar që të mbeten në fuqi.

    “…eksperti shqyrtues i propozon Panelit Shqyrtues që ankesa e OE ankues të aprovohet si pjesërisht e bazuar (për arsyet e shtjelluara në pretendimet nr. 2, 3 ,6 dhe 8) . Sa i përket Lot-eve 1, 3 dhe 4, rekomandohet që të mbetet në fuqi vendimi i Autoritetit Kontraktues lidhur me këtë aktivitet të prokurimit, ndërsa për Lotin 2 (për arsyet e shtjelluara në pretendimin nr.8), rekomandohet që çështja të kthehet në rivlerësim”, thuhet në ekspertizë.

    Ky pretendim ka të bëjë për mangësi substanciale në aspektin teknik, konkretisht në lidhje me Planin e Veprimit dhe Planin e Shpërndarjes së Kripës, të grupit të operatorëve ekonomikë të rekomanduar për kontratë.

    Për ankesat e “Damastion Project SH.P.K” dhe “B Famis SH.P.K”, eksperti ka rekomanduar që të aprovohen si pjesërisht të bazuara, megjithatë ka rekomanduar që të mbetet në fuqi vendimi i Ministrisë për Lot 1, 3 dhe 4.

    Organi Shqyrtues i Prokurimit ende nuk ka marrë vendim mbi këto ankesa, ndonëse ekspertiza i është dorëzuar më 8 shkurt 2026.

    Ndërkohë, nga 11 shkurti 2026 kur u votua qeveria e re e Kosovës – Kurti 3 – Ministria e Infrastrukturës udhëhiqet nga Dimal Basha. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!