Instituti Demokratik i Kosovës(KDI) i ka bërë thirrje Gjykatës Kushtetuese të përdorë mekanizmat proceduralë për trajtim të përshpejtuar lidhur me lëndën e dorëzuar mbrëmë për procedurat për zgjedhjen e presidentit, dhe të ofrojë qartësi kushtetuese përpara zhvillimit të procesit zgjedhor, shkruan Reporteri.net.
Në reagimin e KDI’së thuhet se situata e tanishme që mund të prodhojë pasoja të pakthyeshme.
“Në një demokraci kushtetuese, është me rëndësi thelbësore që veprimet e institucioneve që prodhojnë pasoja të mëdha politike dhe institucionale të mbështeten në një interpretim të qartë të Kushtetutës. Asnjë prej proceseve që prekin funksionimin e institucioneve dhe proceset eventuale zgjedhore nuk do të duhej të zhvilloheshin nën një paqartësi kushtetuese. Çdo vonesë në interpretime të tilla krijon pasiguri juridike, institucionale dhe politike”, thuhet në reagim.
KDI u është drejtuar me thirrje të gjithë akterëve institucionalë dhe politikë që të veprojnë me përgjegjësi dhe të përmbahen nga veprime apo deklarime që mund të kontribuojnë në rritjen e paqartësive kushtetuese dhe tensionimin e mëtejshëm të situatës politike.
“Respektimi i rendit kushtetues, maturia institucionale dhe besimi në mekanizmat kushtetues janë thelbësore për ruajtjen e stabilitetit demokratik dhe funksionimin normal të institucioneve të vendit”, theksohet në reagim./Reporteri.net