Qendra për Studime Universitare (QSU) e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) ka përfunduar me sukses garën njëjavore “Triumfi Dardan”, e cila këtë vit shënoi pjesëmarrjen më të madhe që nga ndërkombëtarizimi i saj, me 40 oficerë kadetë, liderë të ardhshëm ushtarakë nga shtetet anëtare të NATO-s.

Sipas njoftimit të FSK-së, një nga veçoritë e garës këtë vit ishte përshkimi i 52 kilometrave në terren tejet të vështirë, me pajisje me peshë prej 35 kilogramësh, për 22 orë pa ndërprerje.

Gjatë patrullës, kadetët realizuan pesë misione ushtarake: reagimin në kontakt, reagimin ndaj zjarrit indirekt, reagimin ndaj sulmeve me dronë, mësymjen dhe evakuimin e viktimave.

Reklamë

Këto sfida testuan aftësitë udhëheqëse, ushtarake dhe fizike të pjesëmarrësve, si dhe qëndrueshmërinë dhe punën ekipore.

FSK-ja thekson se “Triumfi Dardan” përfaqëson një nga aktivitetet më të rëndësishme të ndërkombëtarizimit të Qendrës për Studime Universitare.

Gara u organizua nën patronatin e komandantit të FSK-së, gjeneral Jashari, dhe nën udhëheqjen e komandantes së QSU-së, major Mimoza Budeci, me angazhimin dhe përkushtimin e stafit dhe kadetëve.

Sipas FSK-së, procesi i ndërkombëtarizimit të QSU-së ka sjellë rezultate konkrete, përfshirë arritjen e tri marrëveshjeve ndërkombëtare me akademi dhe universitete të ndryshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe sigurimin e dhjetëra bursave për pjesëmarrje në aktivitete ndërkombëtare.

Gjithashtu, 73 kadetë të QSU-së e kanë përfaqësuar institucionin në aktivitete të ndryshme ushtarake ndërkombëtare jashtë vendit, ndërsa 90 për qind e stafit është përfshirë në programe dhe aktivitete ndërkombëtare.

Reklamë

QSU-ja ka publikuar dhe prezantuar punime në revista dhe forume të ndryshme ushtarake e shkencore. Po ashtu, përmes organizimit të dhjetëra aktiviteteve ndërkombëtare, kjo qendër ka mirëpritur 70 kadetë oficerë ndërkombëtarë.

FSK-ja ka bërë të ditur se është konfirmuar pjesëmarrja në dhjetëra aktivitete ndërkombëtare për vitin 2027, të cilat do të mbahen në tri kontinente: Amerikë, Evropë dhe Azi.

FSK-ja thekson se Qendra për Studime Universitare është më shumë se një institucion i edukimit dhe përgatitjes ushtarake, duke e cilësuar atë si një përfaqësuese të rëndësishme të FSK-së në arenën ndërkombëtare dhe një platformë për përgatitjen e liderëve të ardhshëm ushtarakë.

Sipas FSK-së, synimi është përgatitja e kuadrove të gatshme për t’u përballur me sfidat e së ardhmes dhe për të kontribuar në ruajtjen dhe promovimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në vend, rajon dhe botë.

Reklamë