Gjykata Supreme e Kosovës e ka hedhur si të palejuar ankesën e Blerim Isufajt kundër vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), përmes të cilit ai u largua nga pozita udhëheqëse e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Në një komunikatë të publikuar të martën, Gjykata Supreme bëri të ditur se aktvendimi është nxjerrë në seancën e kolegjit të mbajtur më 27 tetor 2026, pas shqyrtimit të lejueshmërisë së ankesës së Isufajt kundër vendimit të KPK-së, me numër 695/2026, të datës 2 tetor 2026.

Sipas Supremes, ankesa është e palejuar, pasi nuk janë plotësuar kushtet ligjore që ajo ta shqyrtonte rastin në kuadër të kompetencës së veçantë të përcaktuar me Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.

Reklamë

Gjykata ka sqaruar se, gjatë vlerësimit, ka marrë parasysh natyrën juridike të vendimit të kontestuar, bazën ligjore mbi të cilën është nxjerrë dhe procedurën në kuadër të së cilës është marrë.

“Gjatë vlerësimit, Gjykata ka marrë parasysh natyrën juridike të vendimit të kontestuar, bazën ligjore mbi të cilën është nxjerrë dhe procedurën në kuadër të së cilës është marrë, duke ardhur në përfundimin se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për shqyrtimin e ankesës nga Gjykata Supreme në kuadër të kompetencës së veçantë të përcaktuar me nenin 15 të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve”, thuhet në komunikatë.

Sipas vlerësimit të kolegjit, fakti që një vendim i KPK-së sjell ndërprerjen e ushtrimit të funksionit ose pozitës udhëheqëse të kryeprokurorit nuk do të thotë, në vetvete, se ai ka natyrë disiplinore.

Gjykata ka theksuar se një vendim mund të cilësohet si disiplinor vetëm nëse, për nga përmbajtja dhe procedura e zhvilluar, ka për objekt konstatimin e përgjegjësisë disiplinore dhe përcaktimin e pasojave juridike që rrjedhin prej saj, në përputhje me legjislacionin përkatës.

Në rastin e Isufajt, Supremja ka vlerësuar se vendimi i KPK-së për largimin e tij nga pozita udhëheqëse është nxjerrë në bazë të nenit 22, paragrafit 5, të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, pa u konstatuar përgjegjësia disiplinore e tij.

Reklamë

Për këtë arsye, vendimi është vlerësuar si akt individual me karakter administrativ dhe jo si vendim disiplinor, në kuptim të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.

Rrjedhimisht, sipas Gjykatës Supreme, ligjshmëria e vendimit të KPK-së mund të kundërshtohet përmes procedurës së konfliktit administrativ, para gjykatës kompetente.

Ky vlerësim, sipas komunikatës, mbështetet në nenet 1, 4 dhe 10, paragrafi 2, të Ligjit për Konfliktet Administrative, si dhe në këshillën juridike të dhënë në vetë vendimin e kontestuar.

Gjykata Supreme ka vendosur ta hedhë si të palejuar ankesën e Isufajt, pasi nuk ka gjetur bazë të mjaftueshme ligjore për ta shqyrtuar atë në kuadër të kompetencës së saj të veçantë.

Reklamë

Vendimi i Supremes për lejueshmërinë e ankesës nuk përbën shqyrtim të ligjshmërisë së vendimit të KPK-së në themel, pasi kjo çështje mund të trajtohet në procedurën e konfliktit administrativ para gjykatës kompetente.