Disa ditë më parë, ishte përfolur se ish këngëtarja dhe arkitektja e njohur nga Prishtina, Eliza Hoxha do t’i futet politikës. Ajo ishte përfolur për afërsinë e saj me Partinë Demokratike të Kosovës, përkatësisht me Ministrin e Shëndetësisë që vjen nga kjo parti Uran Ismaili.
Në rrjetet sociale Eliza kishte komentuar shkrimet që qarkullonin nëpër media, por duke mos pohuar e as mohuar përfshirjen e saj të mundshme në politikë.
Megjithatë gjatë ditës së sotme ky lajm doli të ishte i vërtetë, shkruan Reporteri.net.
Arkitektja dhe artistja Eliza Hoxha ka vendosur të inkuadrohet në politikë, duke iu bashkuar Partisë Demokratike të Kosovës.
Lajmi fillimisht u bë i ditur nga kryetari i kësaj partie, Kadri Veseli i cili tha se Eliza Hoxha do të jetë e angazhuar në Degën e PDK-së në Prishtinë.
Për anëtarësimin e saj në PDK ka folur edhe vetë Eliza e cila ka thënë se ndër vite kishte ftesa të ndryshme nga shumë parti politike zgjodhi Partinë Demokratike sepse sipas saj PDK vazhdimisht ka krijuar hapësirë për angazhim dhe kontribut.
“Të dashur miq, nga sot e tutje aktivizmi im publik shkon ne nje shkalle tjeter te akivizmit edhe politik e vendimarres per qytetin dhe vendin.
Ne shume ftesa qe kam pasur nder vite nga parti te ndryshme – PDK ka qene qene ajo qe vazhdimisht ka kriju hapesire per angazhim dhe kontribut.
Mendoj qe tani ka nje moment tjeter per Prishtinen, shume gjera emergjente per tu adresuar e shume te tjera per ti rimenduar bashke me Uran Ismajlin e te tjeret”, ka shkruar Eliza në rrjetin social Instagram. /Reporteri.net