Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu e ka ndërprerë seancën për zgjedhjen e Presidentit, shkruan Reporteri.net.
Haxhiu njoftoi se seanca do të vazhdoj nesër në orën 10:00.
“Këtë seancë plenare do ta vazhdojmë nesër në orën 10:00”, tha Haxhiu, teksa u bëri thirrje deputetëve të opozitës që të marrin pjesë në seancën e nesërme.
Para se ta ndërprente seancën, u mbajtë një votim jokushtetues me vetëm 64 deputetë në sallë.
63 vota ishin për kandidaten Feride Rushiti, ndërsa Hatixhe Hoxha nuk mori asnjë votë.
“Në votim kanë marrë pjesë 64 deputetë, një votë e pavlefshme. Për znj.Feride Rushiti kanë votuar 63 deputetë, ndërsa për znj.Hatixhe Hoxha zero”, tha Kryetari i Komisionit, Salih Zyba.
Edhe sipas Kushtetutës, edhe sipas Aktgjykimit të Kushtetueses, nevojiten 80 deputetë në sallë që të fillojë raundi i parë i votimit.
Votimi për president bëhet me votim të fshehtë.
Në rundin e parë dhe të dytë kërkohen dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Ndërkaq në rundin e tretë kërkohen 61 vota për president./Reporteri.net