×
  • Lajme
  • Raporto
  • Zgjedhjet 2026 / Reagimi

    Vazhdon përplasja në LDK, Abdixhiku u përgjigjet atyre që kërkuan llogari për rezultatin: Na duhen njerëz që ndërtojnë, jo që vetëm marrin e nuk japin

    Reporteri
    08 Qershor 2026 | 11:14

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, u është përgjigjur zërave brenda partisë që, pas shpalljes së rezultateve preliminare të zgjedhjeve, kanë kërkuar përgjegjësi nga lidershipi i LDK-së.

    Ai ka paralajmëruar reforma të thella të brendshme në parti, duke theksuar nevojën për riorganizim dhe forcim të strukturave pas rezultatit zgjedhor.

    Sipas Abdixhikut, procesi i reformimit do të jetë i shpejtë dhe i qartë, me qëllim konsolidimin e partisë dhe forcimin e saj në skenën politike.

    “Përpara nesh kemi edhe reforma të thella të brendshme. Na duhen njerëz që i japin vizionit tonë, që ndërtojnë bashkë me ne, e jo të tillë që vetëm marrin pa dhënë, pengojnë e shpresojnë në rrënim kolektiv për përfitim individual”, ka deklaruar Abdixhiku.

    Ai ka theksuar se LDK duhet të vazhdojë procesin e hapjes dhe bashkimit të brendshëm, duke përfshirë energji të reja dhe duke forcuar strukturat ekzistuese në gjithë vendin.

    “Bashkimi sapo ka nisur; dhe siç ju kemi thënë ky bashkim nuk do të ndalet”, ka shtuar ai, duke theksuar se partia do të vazhdojë angazhimin në terren dhe zgjerimin e bazës së saj.

    Thirrje për përgjegjësi pas rezultatit mbrëmë bëri kadidati për deputet, Bekim Gashi, që është kryetar i nëndegës në Hajvali dhe i afërt me Kryetarin e Prishtinës, Përparim Ramën.

    “Ka ardhur koha për reflektim. Gabimet duhen pranuar, ndërsa përgjegjësia duhet marrë”, ka shkruar Gashi.

    Thellohet përçarja në LDK, kandidati për deputet i afërt me Përparim Ramën kërkon përgjegjësi pas rezultatit

    Edhe kandidati për deputet Arben Gashi duartrokiti një deklaratë ku bëhej thirrje për ndryshim lidershipi. Përgjegjësi kërkuan edhe nga Dega e LDK-së në Prizren dhe ish-këshilltari i Avdullah Hotit, Xhavit Beqiri.

    https://reporteri.net/lajme/kerset-ne-ldk-vellai-i-xhafer-tahirit-kritikon-partine-duartrokitet-nga-arben-gashi/

     

    /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!