Dy punonjës policie kanë pësuar lëndime në protestën që po zhvillohet para Kuvendit në Shqipëri. Ata kanë marrë ndihmën e shpejtë pranë autoambulancës. Të lënduar nga kjo përplasje kanë mbetur edhe disa protestues, ku ndaj tyre u përdor sprej djegës.

Ndërkohë, dy automjete që janë ujëhedhëse po qëndrojnë në gatishmëri në hyrje të Parlamentit, por nuk ka pasur hedhje uji gjatë përplasjes së parë nga ana e tyre.

Sakaq, pas raportimit të plagosjes së efektivëve, ministri i Brendshëm Besford Lamallari ka dalë nga Kryesia e Kuvendit për të parë gjendjen e policëve të plagosur, por pas raportimeve që këta të fundit kanë shkuar për të marrë ndihmën e shpejtë është rikthyer sërish në Kuvend.

Reklamë

Siç raportohet gjatë përplasjes, një polic është goditur me gur në kokë.

Para Kuvendit të Shqipërisë, në kohën kur pritet të nisë seanca plenare, protestuesit janë mbledhur dhe kanë filluar të hedhin vezë dhe gurë në drejtim të deputetëve të Partisë Socialiste (PS), si dhe ndaj efektivëve të policisë që po siguronin perimetrin e Kuvendit.

Protestuesit kanë arritur të futen brenda perimetrit të sigurisë, pasi nuk janë penguar të hyjnë në një prej lokaleve në zonën e pedonales.