Vendi ballkanik nuk ka qenë kurrë më popullor, me plazhe me rërë të bardhë, hotele të reja interesante, histori të pasur dhe fluturime të përballueshme. “Ja ku të shkoni këtë verë; 11 vendet më të mira për t’u vizituar në Shqipëri”, ky është kryetitulli i të përditshmes britanike The Times për vendin tonë, që nënvizon se mund të gjeni det me ujëra të kristalta, rrënoja të lashta dhe male piktoreske që joshin një numër rekord turistësh.
Pjesë e 11 sugjerimeve për Shqipërinë është Pogradeci. Nëse doni pushime në diell, por pa turmat në plazh, shkoni në brigjet e Liqenit të Pogradecit dhe të Ohrit, një nga liqenet më të vjetra dhe më të thella në Evropë. E përditshmja britanike The Times ka përfshirë edhe Ksamilin, që shpesh konsiderohet si “Maldivet e Evropës”, për shkak të plazheve me rërë të bardhë.
Më tej, në brendësi të artikullit, përmenden Alpet Shqiptare me Parkun Kombëtar të Thethit, ku mund të gjeni peizazhe të mrekullueshme me ujëvara të shumta, livadhe dhe lugina lumenjsh që gurgullojnë.
Nuk mund të mungonte as Saranda, si një nga 11 sugjerimet e The Times për këtë verë. Si destinacion bregdetar i njohur, Saranda ka një qendër të gjallë me shumë restorante me ushqime deti, klube plazhi dhe bare. Gjithashtu, Tirana është në fokusin e të përditshmes britanike, e cila shkruan se ndryshe nga Berlini apo Varshava, kryeqyteti shqiptar është shumëngjyrësh, me sheshe dhe galeri arti të sofistikuara.
Një ndalesë e domosdoshme kur vizitoni Shqipërinë është edhe Berati, pjesë e listës së UNESCO-s, me një bukuri të rrallë ku mbi qytet ngrihet edhe fortesa 2,500-vjeçare. Pjesë e 11 destinacioneve për t’u vizituar në Shqipëri janë edhe Shkodra dhe Parku Kombëtar i Llogorasë.
Një tjetër bukuri e listuar në UNESCO është Gjirokastra, që magjeps me pazarin e restauruar dhe rrugët me kalldrëm plot me dyqane e kafene joshëse – një qytet plot histori. Po ashtu, Muzeu Etnografik i Krujës ofron mundësinë për t’u zhytur në folklorin vendas, traditat dhe historinë.
Në përmbyllje të artikullit për Shqipërinë, e përditshmja britanike The Times sugjeron qytetin bregdetar të Durrësit, ku mund të vizitoni amfiteatrin romak dhe plazhet e bukura që në verë mbushen me pushues nga vende të ndryshme të botës.