Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, i ka bërë thirrje Këshillit Gjyqësor të Kosovës që të refuzojë kërkesën për tërheqjen e dorëheqjeve të gjyqtarëve nga komuniteti serb për t’u rikthyer në sistemin gjyqësor.

Në një konferencë për media të premten, Haxhiu tha se ish-gjyqtarët e ish-prokurorët serbë janë përfshirë në shkelje të rendit kushtetues dhe juridik të Kosovës.

“Unë sot thërras Këshillin Gjyqësor të Kosovës që të ndjek praktikën e Këshillit Prokurorial të Kosovës, por edhe vetë praktikën e Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Para pak kohësh unë kam liruar nga detyra një gjyqtare shqiptare. Ajo, pasi kishte dhënë dorëheqje nga sistemi për arsye personale, një javë pas kësaj në KGJK e kishte dorëzuar kërkesën për lirim nga detyra… Dyert e institucioneve tona janë të hapura për prokurorë dhe gjyqtarë serbë, por ata që nuk ndikohen nga Serbia dhe Vuçiqi. Pra, për ata që i shërbejnë drejtësisë në Kosovë”, tha ajo.

Reklamë

Duke folur për reagimet e vendeve partnere të Kosovës që politika të mos i bëjë presion KGJK-së në lidhje me këtë çështje, ajo tha se asnjë nga këto vende nuk do të vendoste për diçka që është në kundërshtim me ligjin në shtetet e tyre.

BE dhe disa prej ambasadave të huaja në Kosovë kanë bërë thirrje për shqyrtimin e mundësisë për kthimin e ish-gjyqtarëve e prokurorëve serbë, pas kërkesës së tyre të fundit që t’u mundësohet kthimi në vendet e tyre të punës, pasi kishin dhënë dorëheqje në nëntor të vitit 2022.

Shumica e përfaqësuesve serbe në institucionet kosovare, sidomos ata me seli në veri, u larguan nga institucionet e Kosovës, pas asaj që supozohet se ishte kërkesë e Beogradit, e implementuar prej Listës Serbe./kp