Një tjetër histori suksesi po shkruhet nga diaspora shqiptare në Amerikë. Shpëtim Qorraj, i lindur në Kosovë dhe i rritur mes sfidave të mëdha të luftës, sot është zyrtarisht kandidat i Partisë Demokratike për Asamblenë e Shtetit të Nju Jorkut në Distriktin 64.

Udhëtimi i tij drejt suksesit në SHBA vjen pas një jete të mbushur me mund dhe përkushtim.

I lindur në vitin 1986 në fshatin Pëmishtë, në kufi mes Drenicës dhe Dukagjinit, Qorraj u përball me tragjedinë që në fëmijëri, shkruan Reporteri.net. Në moshën 13-vjeçare, gjatë luftës në Kosovë, ai humbi babain e tij. Përkundër dhimbjes së madhe, ai zgjodhi ta kthente këtë humbje në forcë.

Reklamë

U shqua si një nxënës i shkëlqyer dhe vazhdoi studimet universitare në Drejtësi. Etja për dije e çoi atë edhe drejt vendeve skandinave, ku jetoi nga një vit në Suedi dhe Norvegji, për t’u kthyer më pas në atdhe ku përfundoi edhe studimet Master në të Drejtën Penale.

Në vitin 2011, Qorraj mori vendimin për t’u shpërngulur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Atje krijoi familjen e tij me bashkëshorten Kathleen Durkin, me të cilën sot ka dy djem, Ronan dhe Bren.

Përveç jetës familjare, ai tregoi aftësi të jashtëzakonshme edhe në sipërmarrje. Së bashku me mikun e tij të ngushtë, ndërtoi një kompani të suksesshme “që bazohet te puna e ndershme dhe krijimi i mundësive të reja të punësimit”.

Prej vitesh, Shpëtim Qorraj është shquar për angazhimin e tij shoqëror. Si në Staten Island ashtu edhe në Kosovë, ai ka ndihmuar vazhdimisht familje në nevojë, të rinj dhe organizata të ndryshme komunitare, duke u bërë një nga zërat më aktivë të komunitetit shqiptar në Amerikë.

Reklamë

Sot, si kandidat për Asamblenë e Shtetit të Nju Jorkut, Qorraj synon të çojë zërin e qytetarëve punëtorë direkt në institucionet më të larta shtetërore në Albany.

Ai shprehet se udhëheqja e vërtetë matet me vepra dhe se ndryshimi vjen vetëm atëherë kur njerëzit bëhen bashkë për të mirën e familjeve dhe të ardhmes së fëmijëve të tyre.