Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se pas përfundimit të Kuvendit të jashtëzakonshëm partia duhet të kthehet te puna për stabilitetin institucional dhe proceset politike në vend.
Pas rikonfirmimit të tij në krye të LDK-së, Abdixhiku tha se vendimi i delegatëve duhet të respektohet nga të gjithë, duke theksuar se votimi ishte shprehje e vullnetit të anëtarësisë së partisë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Ky është vullneti i anëtarësisë, ky është vullneti i LDK-së. Ju ftoj të gjithë ta respektoni dhe të kontribuoni edhe atëherë kur nuk pajtoheni me këtë vendim. Por ky është vendim i shumicës së Lidhjes Demokratike të Kosovës”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai tha se, përkundër përplasjeve të brendshme gjatë këtij procesi, synimi i tij do të jetë bashkimi i partisë.
“Do të zotohem të përpiqem ta bashkoj sa më shumë LDK-në, por pa bërë kompromise mbi vlerat tona dhe mbi atë që besojmë”, u shpreh ai.
Abdixhiku e cilësoi Kuvendin e jashtëzakonshëm si një moment jo të lehtë për partinë, por tha se rezultati i votimit e nxori LDK-në përpara.
“Sot nuk u ndjemë si në festë. Kemi nisur një proces të rrëzimit, por jam shumë falënderues që anëtarësia jonë arriti ta nxjerrë LDK-në faqe të bardhë edhe një herë”, tha ai.
Ai foli edhe për raportet me ata që mbështetën mocionin për shkarkimin e tij, duke thënë se nuk do të ketë hakmarrje ndaj tyre.
“Nuk kam fjalë të këqija për askënd prej tyre. I uroj punë të mbarë në komunat e tyre. Nuk do të ketë hakmarrje, por besoj se iniciativa ka qenë e pavend dhe e pakohë”, deklaroi Abdixhiku.
Sa i përket formimit të institucioneve, kryetari i LDK-së bëri të ditur se partia do të rifillojë diskutimet, pasi deri tani ishin pezulluar për shkak të procesit të brendshëm.
“Prej këtij momenti heq atë çështjen e pezullimit të diskutimeve dhe LDK-ja është e hapur të diskutojë për çështjen e institucioneve”, tha Abdixhiku./Reporteri.net/