Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, kanë nisur takimin në Kuvend, për të diskutuar lidhur me formimin e institucioneve.
Që të dy folën para mediave.
Kurti deklaroi se ende nuk ka marrëveshje politike dhe se takimet me LDK-në nuk përbëjnë lajm.
Sipas tij, ato janë përpjekje normale për konstituimin e institucioneve të legjislaturës së 11-të.
“Kur të kemi marrëveshje politike nga ana ime do të keni edhe material për lajme. Takimet me LDK-në nuk janë më lajm. Janë përpjekje normale për t’i konstituar institucionet e legjislaturës së 11-të”, tha Kurti.
Ndërkaq, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se nuk ka asnjë arsye për të shtyrë konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se procesi duhet të vazhdojë pa vonesa.
I pyetur nga gazetarët se çfarë nënkupton kërkesa e LDK-së, Abdixhiku u përgjigj shkurt se ajo lidhet “…për konstituimin e Kuvendit”.
Në pyetjen nëse pret një marrëveshje gjatë ditës apo thirrjen e seancës konstitutive, kreu i LDK-së theksoi se seanca duhet të mbahet pa vonesë.