×
  • Lajme
  • Raporto
  • Botë / Tabela

    Serbia abstenoi për hartën e re në OKB, me arsyetimin se Kosova paraqitet si shtet i pavarur

    Reporteri
    06 Shtator 2026 | 20:15

    Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka miratuar këtë javë një rezolutë që promovon përdorimin e një harte të re të botës, e cila synon të paraqesë më saktë madhësinë relative të kontinenteve, veçanërisht të Afrikës.

    Rezoluta “Correct the Map” u miratua me shumicë dërrmuese prej 164 votash pro. Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin vendi i vetëm që votuan kundër, ndërsa gjashtë shtete abstenuan: Serbia, Estonia, Gjeorgjia, Lituania, Moldavia dhe Ukraina.

    Por, në rastin e Serbisë, sipas një përgjigjeje të Ministrisë së Punëve të Jashtme të këtij vendi për BBC-në në gjuhën serbe, arsyeja e abstenimit lidhet me Kosovën.

    Harta e promovuar përmes rezolutës përdor projeksionin “Equal Earth”, në të cilin Kosova paraqitet si shtet i veçantë.

    “Rezoluta e propozuar korrigjon një padrejtësi historike, por përdor projeksionin Equal Earth, i cili e paraqet Kosovën si shtet më vete. Kjo është në kundërshtim me rendin tonë kushtetues dhe interesat kombëtare dhe nuk mund të mbështetet as në mënyrë indirekte”, ka thënë Ministria e Jashtme e Serbisë.

    Sipas qëndrimit të Beogradit, vota pro rezolutës mund të interpretohej si mbështetje për pavarësinë e Kosovës.

    “Mbështetja e një propozimi të tillë mund të keqpërdoret ose interpretohet si mbështetje për pavarësinë e njëanshme të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Jashtme serbe.

    Rezoluta synon të korrigjojë shtrembërimet e krijuara nga projeksioni tradicional Mercator, i përdorur gjerësisht në hartat e botës. Ky projeksion i paraqet sipërfaqet afër poleve shumë më të mëdha në raport me ato pranë ekuatorit, duke bërë që kontinenti afrikan të duket dukshëm më i vogël sesa është në raport me kontinentet dhe vendet e tjera.

    Projeksioni “Equal Earth”, i zhvilluar në vitin 2018, synon të ruajë më saktë raportin mes sipërfaqeve të kontinenteve dhe vendeve.

    Rezoluta nuk e ndalon përdorimin e hartës Mercator dhe as nuk e bën të detyrueshme hartën e re. Ajo u bën thirrje qeverive, institucioneve arsimore, organizatave ndërkombëtare dhe kompanive teknologjike që të përdorin projeksione që paraqesin më saktë madhësinë relative të rajoneve të botës.

    Nisma u udhëhoq nga Togo në emër të Grupit Afrikan në OKB dhe mori mbështetjen e gjerë të vendeve anëtare.

    Togo e ka njohur pavarësinë e Kosovës në vitin 2014, ndërsa Serbia ka pretenduar se ky shtet afrikan e ka tërhequr njohjen në vitin 2019./Telegrafi/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!