Një minutë heshtje për kriminelin e dënuar të luftës Ratko Mlladiq është mbajtur në Kuvendin e Qytetit të Novi Sadit, me pjesëmarrjen e këshilltarëve të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) të Aleksandar Vuçiqit dhe aleatëve të saj.
Propozimi u bë nga këshilltari i SNS-së, Nedeljko Klisuriq, në fillim të seancës. Më pas, kryetari i Kuvendit u kërkoi të pranishmëve të ngriheshin në këmbë për të nderuar Mlladiqin. Kjo shihet në një video që është shpërndarë në Facebook nga Razglas News.
Në nderim morën pjesë përfaqësues të SNS-së, Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), Lidhjes së Hungarezëve të Vojvodinës (SVM), Partisë Socialdemokrate të Serbisë (SDPS) dhe Lëvizjes së Socialistëve (PS).
Atij iu bashkuan edhe anëtarët e Këshillit të Qytetit, përfshirë kryetarin e Novi Sadit, Zharko Miçin.
Ndryshe vepruan këshilltarët e opozitës. Ata u larguan nga salla, duke refuzuar të marrin pjesë në nderimin e ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Srpska.
Ratko Mlladiq ishte dënuar përfundimisht me burgim të përjetshëm nga drejtësia ndërkombëtare për gjenocidin në Srebrenicë, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë.
Në Srebrenicë, në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës nën komandën e Mlladiqit vranë mbi 8.000 burra dhe djem boshnjakë. Masakra është cilësuar gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare.