Deputetja e Vetëvendosjes, Arjeta Fejza, iu bashkua thirrjeve të bashkëpartiakëve të saj për sanksionimin e deputetit të Listës Srpska, Igor Simiq, i cili gjatë propozimit të kandidatit të kësaj partie për nënkryetar Kuvendi, tha “në emër të popullit serb”.
Ajo i bëri thirrje Prokurorisë që ta merret me rastin, duke thënë se kjo deklaratë e “sfidon rendin kushtetues”.
““Në emër të popullit serb”, tha në Kuvendin e Kosovës përfaqësuesi i Listës Serbe. Ku po mendon që është ky njeri, në çfarë realiteti jeton? Kushtetuta e Republikës së Kosovës është e qartë: Kuvendi është institucion i Republikës së Kosovës dhe përfaqëson popullin e Kosovës. I bëj thirrje Prokurorisë që ta trajtojë këtë deklaratë, e cila sfidon vetë rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti se është në koordinim me Listën Serbe për të mos lejuar konstituimin e Kuvendit para 16 shtatorit.
Përmes një postimi, Musliu ka thënë se Kurti dhe Lista Serbe nuk duan që Kosova të ketë Kuvend të konstituuar para kësaj date.
“Albin Kurti në koordinim të plotë me Listën Serbe nuk duan të kemi Kuvend para datës 16 shtator”, ka shkruar Musliu.
Ajo ka thënë se, pavarësisht zhvillimeve politike, historia e Kosovës nuk mund të ndryshohet.
“E keni të kotë! Nuk do mund ta rishkruani historinë!”, ka deklaruar deputetja e PDK-së.
Musliu ka përmendur disa prej vendeve që, sipas saj, janë pjesë e historisë së luftës dhe sakrificës së shqiptarëve për liri, përfshirë Prekazin, Çirezën, Likoshanin, Likocin, Reçakun, Abrinë, Poklekun, Krushën dhe Mejën.
“Është shkruar me gjakun dhe sakrificën e njerëzve tanë”, ka përfunduar Musliu.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se përveç që nuk kanë votë për nënkryetarin e Kuvendit të propozuar nga Lista Serbe pa tërhequr deklaratën Igor Simiqi, votë nuk kanë as për propozimin e PDK-së për nënkryetare, Vlora Çitaku e as për propozimin e LDK-së për nënkryetar, Kujtim Shala.
Sipas Nagavcit, Çitaku e Shala publikisht kanë deklaruar se nuk do ta votojnë presidentin kësisoj nuk kanë pse i kërkojnë votat e VV-së për nënkryetar.
“Ishin dy çështje pse u shty seanca e sotme. E para ka të bëjë me kushtetutshmërinë, dhe e dyta ka të bëjë me propozimet e PDK-së e LDK-së Deklarata e Simiqit është e papranueshme dhe bie ndesh me Kushtetutën. Kërkova ta tërheq fjalën, pat deputet që nuk e konsideruan problematike. E çështja e dytë është se propozimet e PDK-së dhe LDK-së, Vlora Çitaku përkatësisht Kujtim Shala, që të gjithë jemi dëshmitarë që të dy deputetët ndërkohë kërkojnë votë për veten e tyre, të njëjtit deputetë thonë se nuk do të marrin pjesë në votimin e presidentit dhe po na çojnë drejt zgjedhjeve të reja. Për VV-në është shumë e rëndësishme edhe të kemi konstituimin e Kuvendit, edhe formimin e qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit sa më shpejt”, ka thënë ajo.

Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për mosvazhdimin e procedurës së votimit për nënkryetarët e Kuvendit.
Lushaku e ka cilësuar situatën si të paprecedentë, duke thënë se grupi më i madh parlamentar po pengon vazhdimin e procesit në mungesë të përkrahjes për propozimet e partive të tjera.
“Kjo është situatë e paprecedentë ku nuk vazhdohet konstituimi në mungesë të përkrahjes nga grupi më i madh për propozimet për nënkryetarë që i kanë bërë partitë e tjera”, tha Lushaku.

Seanca konstituive e kuvendit është shtyrë për të premten në orën 11:00.
Kështu ka njoftuar kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu.
Kjo erdhi pasi që deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, propozoi Slavko Simiqin për nënkryetar të Kuvendit, duke thënë se këtë po e bën ‘’në emër të popullit serb’’.
Përveç Haxhiut që u zgjodh kryetare e kuvendit, asnjëri nga nënkryetarët e propozuar nga partitë s’është zgjedhur për këtë pozitë.
Ndryshe, Vetëvendosja ka propozuar për nënkryetar kuvendi, Ardian Golën.
Partia Demokratike e Kosovës, ka propozuar Vlora Çitaku.
Lidhja Demokratike e Kosovës, ka propozuar Kujtim Shalën.
Ndërsa deputetët nga komunitetet jo shumicë kanë propozuar Slavko Simiq, dhe, Emilija Rexhepin.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu ka kërkuar nga deputeti Igor Simiq që ta tërheqë formulimin e propozimit të nënkryetarit “në emër të popullit serb”.
“Tërhiqeni fjalën që ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe pastaj vazhdojeni propozimin”, i tha Haxhiu, Simiqit.
Simiq, gjatë propozimit të Sllavko Simiqit si kandidatit për nënkryetar të Kuvendit nga komuniteti serb, kishte thënë se ai po propozohej “në emër të popullit serb”.
Haxhiu e ka cilësuar këtë deklaratë si të papranueshme dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës./Reorteri.net/

Deputeti i LVV-së, Ilir Kërçeli, ka reaguar pasi LDK ka propozuar Kujtim Shalën për nënkreytar të Kuvendit të Kosovës.
Kërçeli ka kujtuar deklarimet e Shalës kundër bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje duke i thënë se votat e kujt po i kërkon tani që dëshiron të zgjidhet nënkryetar.
Postimi i plotë:
Kujtim Shala është deklaruar se është votuar për të mos bashkëpunuar me Albin Kurtin.
Tash po i kërkon votat e Lëvizjes për tu bërë nënkryetar.
Prej kujt po kërkon votë tash?! Ai që nuk ka votë madje as kundër Presidentit e as nuk rri në sallë?!

Deputetja e LVV-së dhe ministrja në detyrë, Donika Gërvalla, ka thënë se mënyra e propozimit të Listës Serbe për nënkryetar të Kuvendit është e papranueshme.
Gërvalla ka thënë se në Kosovë s’ka popull serb, por komunitet serb, duke u ndërlidhur me mënyrën e propozimit nga Lista Serbe.
Igor Simiq ka thënë se e propozon emrin e Slavko Simiq për nënkryetar të Kuvendit në “emër të popullit serb”.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka thënë se zhvillimet e fundit në Kuvend janë, sipas tij, në kundërshtim me Kushtetutën, ndërsa ka paralajmëruar se do t’i trajtojnë këto çështje pas 16 shtatorit përmes rrugëve politike dhe institucionale.
Ndërkaq, Gruda ka bërë të ditur se PDK-ja ka propozuar Vlora Çitakun për nënkryetare të Kuvendit.
“Në emër të PDK-së për nënkryetarë të Kuvendit e propozojmë Vlora Citaku. Jemi këtu për të konstituar kuvendin e Kosovës dhe propozojmë emrin për nënkryetar, por nuk mund të mos themi që kjo që ka ndodhur nga 6 shkurti është një situatë komplet jo kushtetuese. Ne kemi ardhur sot për shkak se Kosova është para një vendimi historik, para vendimit në Hagë për Hashim Thaqin, Kadri Veselin dhe të tjerët, 16 shtatorin. Për hir të kësaj date ne s’kemi dashur të mbivendosim konfliktin politik ose dilemat kushtetuese kësaj date dhe kemi ardhur sot këtu. Por, për neve gjithçka që ka ndodhur këto muaj nuk mund të kalojë, dhe ne gjitha këto shkelje kushtetueses dhe rregullores do t’i trajtojmë politikisht dhe në rrugë tjera institucionale pas datës 16 shtator. Sepse, nuk mendoj se duhet të pranojmë si normalitet kthimin e pushtetiti të par6tisë që ka fituar zgjedhjet në sallë pa dhënë llogari për shkeljet kushtetuese që kanë ndodhur”, ka thënë Gruda.

Seanca konstituive ka shkuar në pauzë prej 30 minutash. Kryeparlamentarja e sapozgjedhur, Albulena Haxhiu, ka thënë se me partitë nuk është arritur dakordimi për mënyrën e votimit të nënkryetarëve të Kuvendit.
Lëvizja Vetëvendosje, propozoi Ardian Golën, PDK-ja propozoi Vlora Çitakun si dhe LDK-ja Kujtim Shala.
Ndërsa nga radhët e komunitetit serb u propozua Sllavko Simiq.
Kurse nga radhët e komunitetit joshumicë Emilja Rexhepin./Reporteri.net/

Pas zgjedhjes së kryetarës së Kuvendit, partitë politike propozuan emrat për nënkryetarë.
Lëvizja Vetëvendosje, propozoi Ardian Golën, PDK-ja propozoi Vlora Çitakun si dhe LDK-ja Kujtim Shala.
Ndërsa nga radhët e komunitetit serb u propozua Sllavko Simiq.
Kurse nga radhët e komunitetit joshumicë Emilja Rexhepin.

Albulena Haxhiu është zgjedhur kryetare e Kuvendit. Ajo do ta udhëheqë legjislaturën e 11-të të dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit.
Haxhiu mori 62 vota për, 16 kundër, ndërsa 13 abstenuan.
Haxhiu cila ushtron edhe postin e presidentit nga 5 prilli, do të vazhdojë edhe më tutje këtë detyrë deri në zgjedhjen e presidentit të ri./Reporteri.net/

Albulena Haxhiu është e propozuara e VV-së për kryetare të Kuvendit në vazhdimin e seancës konstituive që sapo ka nisur.
Në sallë janë të pranishëm 101 deputetë.
Haxhiu qe kryetare e Kuvendit edhe në legjislaturën e shkuar.
Ajo është edhe ushtruese detyre e presidentes./Reporteri.net/

Ka nisur vazhdimi i seancës konstituive të legjislaturës së 11-të të Kuvendit, të dalë nga 7 qershori.
Seanca konstituive e Kuvendit nuk vazhdoi për një muaj të plotë prej ndërprerjes së fundit më 8 gusht.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, kishte pranuar kërkesën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që t’u jepet kohë shtesë për të arritur një marrëveshje politike për presidentin para se të vazhdohet me konstituim të Kuvendit.
Kurti atëherë kishte deklaruar se “konstituimi kësaj radhe nuk bën të jetë drejt një shpërndarjeje të Kuvendit dhe përsëri zgjedhjeve të parakohshme, të paarsyeshme e të panevojshme”./Reporteri.net/

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka mbërritur para pak minutash në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.
Ajo ka thënë se po shkon në mbledhjen e Grupit Parlamentar, duke paralajmëruar se do të ketë edhe veprime nga ana e Partisë Demokratike të Kosovës.
“Kosova nuk ka kohë të humbasë. Jemi jashtë çdo afati. Ky është hapi që na mundëson kthimin e kushtetutshmërisë. Tani do t’i shihni veprimet e PDK-së”, deklaroi Musliu.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka deklaruar para nisjes së seancës se nuk duhet të bëhen kalkulime politike që Kosova të mbetet pa Kuvend të konstituuar.
Nëse kjo seancë do të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese për shqyrtim, Hamza tha se “është çështje që do ta vlerësojmë në ditët në vazhdim”.
Edhe deputeti i kësaj partie, Përparim Gruda, deklaroi se pas 16 shtatorit, ditës kur në Gjykatën Speciale merret vendimi për rastin e Thaçit dhe të tjerëve do të vendosin a e dërgojnë për interpretim kushtetues konstituimin e Kuvendit.
Megjithëse sipas tij Kuvendi duhet të përmbyllë konstituimin edhe pas afatit kushtetues.
“Shkelja e afatit nuk e shuan detyrimin për të themeluar Kuvendin”, tha Gruda para gazetarëve.

Kyeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se marrëveshja politike e arritur nuk është e mjaftueshme për të shmangur zgjedhjet e reja, pasi sipas tij nevojiten edhe votat për zgjedhjen e presidentit.
Kurti tha se për zgjedhjen e presidentit ose presidentes kërkohet pjesëmarrja e dy të tretave të deputetëve në Kuvend, ndërsa theksoi se duhet të jenë të pranishëm jo vetëm deputetët e palëve që kanë arritur marrëveshjen, por edhe deputetë të tjerë.
“Marrëveshje politike kemi, këtë e kemi arritur, por ajo duhet të na sigurojë edhe numrat në mënyrë që t’i evitojmë zgjedhjet e reja. Kuvendi dhe qeveria nuk i evitojnë zgjedhjet e reja pa e zgjedhur presidentin”, tha Kurti pak para fillimit të seancës konstituive.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka thënë se nuk do të votojë për kandidatin e LVV-së për kryetar të Kuvendit.
Në një prononcim në hyrje të Kuvendit për vazhdimin e seancës konstituive, ai tha se Kujtim Shala do të jetë kandidati i LDK-së për nënkryetar.
“Do të jetë prapë Kujtim Shala, nuk kemi pasur ndryshim. Nuk do të votojmë pro zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje. Nëse dikush e ka ndryshuar personalisht mendimin, është në vullnetin e tij”, tha Zemaj.

Kuvendi i Kosovës pritet të rifillojë sot procesin e konstituimit, pas më shumë se një muaji bllokadë institucionale. Seanca e vazhdimit është caktuar të mbahet të mërkurën, në orën 11:00.
Dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), kanë konfirmuar se deputetët e tyre do të marrin pjesë në vazhdimin e seancës për konstituimin e Kuvendit. Aleanca e Ardian Gjinit ka njoftuar se nuk merr pjesë.
Pas një mbledhje me partinë e tij, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, të hënën tha se deputetët e partisë së tij do të marrin pjesë në seancën konstituive në mëngjesin e së nesërmes. Ai tha se partia e tij e konsideron të rëndësishme që Kuvendi i Republikës së Kosovës të jetë i konstituuar para datës 16 shtator, duke e lidhur këtë datë me zhvillimet që pritet të ndodhin në Hagë me ish-krerët e UÇK-së.
“Të gjitha veprimet që ne i ndërmarrim këto ditë ndërlidhen edhe me datën 16 shtator. Ne jemi të bindur se në këtë kohë Kosova ka nevojë që të ketë Kuvend të konstituuar. Ne presim që ata të vijnë në Kosovë. Të festojmë në Kosovë. Nuk ka arsye tjetër”, tha Hamza për media.
Bedri Hamza gjithashtu ka njoftuar se PDK do të propozojë Vlora Çitakun për pozitën e nënkryetares, duke theksuar se kandidatura e Çitakut ishte propozuar edhe brenda afatit të përcaktuar.
Grupin parlamentar të hënën e mblodhi edhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Pas mbledhjes, deputetja e kësaj partie, Jehona Lushtaku, ka konfirmuar edhe për pjesëmarrjen e deputetëve të LDK-së në seancën konstituive të nesërmen.
“Vendosëm si grup që të marrim pjesë në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës dhe t’i kontribuojmë konstituimit të Kuvendit, meqë Kosova është në një fazë të rëndësishme për themelimin e institucioneve dhe funksionalitetin e saj”, tha ajo.
Ndërkaq, partia “Aleanca” të martën e ka mbledhur kryesinë e saj. Pas mbledhjes, kryetari i saj, Ardian Gjini, ka njoftuar se deputetët e partisë së tij nuk do të marrin pjesë në seancën konstituive të së nesërmes.
“Dua me ju treguar që sot Aleanca ka konfirmuar vullnetin e shumicës dërrmuese të deputetëve, të anëtarëve të kryesisë që nesër mos me marrë pjesë edhe mos me e legjitimuar shkeljen e vazhdueshme dhe brutale të Kushtetutës së Kosovës nga partia që ka fituar zgjedhjet, e cila ka dalë”, njoftoi Gjini gazetarët.
Më 7 qershor u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ndërsa më 8 korrik KQZ-ja i certifikoi rezultatet. Sipas interpretimit të dhënë nga Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e vitit 2025, Kuvendi i Republikës së Kosovës duhej të konstituohej brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve.
Afati i fundit për konstituimin e Kuvendit ishte më 7 gusht, ndërsa Albulena Haxhiu, ushtruesja e detyrës së presidentes, e thirri seancën e parë të legjislaturës së re më 6 gusht, në orën 10:00. Megjithatë, si rezultat i moszgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, procesi i konstituimit dështoi.
Më 8 gusht seanca vazhdoi, ku kryesuesi i seancës ishte Avni Dehari dhe pika kryesore ishte zgjedhja e kryetarit të Kuvendit. Por lideri i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, dhe kryeministri në detyrë deklaroi se nuk kishte ende marrëveshje me partitë e tjera dhe kërkoi më shumë kohë për negociata. Më pas, Dehari e ndërpreu seancën dhe nuk caktoi një datë tjetër.
Ndërkaq, më 11 gusht, Dehari deklaroi se seancat nuk kanë kuptim të mbahen përderisa nuk japin rezultate.
Më 13 gusht, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, së bashku me deputetin e Aleancës, Besnik Tahiri, në një konferencë të përbashkët për shtyp kërkuan që seanca të mbahej më 14 gusht, në orën 11:00, duke argumentuar se vonesa krijonte probleme kushtetuese. Megjithatë, Avni Dehari nuk kishte dhënë përgjigje.
Më 19 gusht, PDK-ja i kishte dërguar sërish letër Avni Deharit, duke kërkuar që seanca të vazhdonte më 20 gusht, në orën 11:00, por seanca përsëri nuk ishte thirrur. Pas kësaj PDK i dërgoi Deharit edhe disa letra ku i kërkonte që të thirrjes seanca.
Tek më 4 shtator, Dehari i VV-së reagoi kur njoftoi se do ta thërras vazhdimin e seancës konstituive për datën 9 shtator.
Ndërkohë që nuk thirrej seanca për konstituimin e Kuvendit, më 31 gusht, Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas takimeve të shumta që nga 9 korriku, arritën një marrëveshje që ish-diplomati dhe ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Bekim Sejdiu, të jetë kandidat i përbashkët për president të Republikës së Kosovës. Por, marrëveshja nuk u pranua nga gjashtë 6 deputetë të LDK-së. /Reporteri.net/.