Avokatja e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendran, ka bërë të ditur se mbrojtja do ta apelojë aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, me të cilin ish-kryeparlamentari u dënua me 25 vjet burgim.
Alagendran e ka cilësuar vendimin si zhgënjyes, duke thënë se gjatë aktgjykimit është bërë e qartë se disa prova, sipas saj, nuk janë marrë parasysh ose nuk u është dhënë pesha e duhur.
“Aktgjykimi tashmë na e ka bërë të qartë se disa prova ose nuk janë marrë parasysh, ose nuk u është dhënë pesha e duhur. Ne do të apelojmë aktgjykimin. Qëndrimi ynë është se i vetmi rezultat i këtij gjykimi duhet të jetë shpallja i pafajshëm e z. Jakup Krasniqi për të gjitha pikat e aktakuzës”, ka thënë ajo.
Ajo ka theksuar se procesi gjyqësor ende nuk ka përfunduar dhe se synimi i mbrojtjes mbetet lirimi dhe shpallja e pafajësisë së Krasniqit.