Mërgim Vojvoda kishte një motiv shtesë për të shënuar në ndeshjen kundër Çekisë që u luajt në shtator në stadiumin Fadil Vokrri ku Kosova triumfoi me rezultat 2-1
Mërgim Vojvoda iu hakmor Çekisë për trajtimin që ia kishin bërë në një spital kur ky i fundit ishte si fëmijë, raporton Reporteri.net
Djaloshi nga Skënderaj që po shkëlqen te Standard Liege dhe te Kombëtarja e Kosovës ka një storie shumë interesante pas vetes.
Familja e Mërgimit kishte bërë një rrugëtim aspak të lehtë para 20 viteve ku u larguan nga Kosova në mënyrë ilegale, ku kishin ecur madje edhe maleve.
Mërgimi kishte qenë shumë i vogël atë kohë, ndërsa vëllau i tij, Gazmendi në një rrëfim ekskluziv për Reporterin tregon se si ia kishin keqtrajtuar vëllaun në një spital në Çeki.
“Pas lufte kur kemi dalur nga Kosova për në Evropë, Mërgimi ka qenë i vogël edhe para se me ardhë në Belgjikë në të zezën, kemi përjetuar shumë gjëra duke kaluar madje edhe nëpër male dhe 6 muaj kemi qëndru në Çeki,” tregon për Reporterin, Gazemend Vojvoda, vëllau i Mërgimit.
“Mërgimi ka qenë i sëmurë edhe e patën ndalë në një spital në Çeki, edhe tash ky u kanë i vogël atëherë ka qajt nonstop se vetë në spital edhe kur kemi shkuar të nesërmen me pa në spital Mërgimi i thoshte nënës ‘Më ka bërtit doktoresha se nuk kam dasht me i pi hapat, edhe ma ka fut një shuplakë’.
E Mërgimi shuplakën dhe trajtimin që ia kishin bërë në Çeki nuk e kishte harruar dhe i kishte premtuar familjes së tij se do t’i hakmerret atyre në ndeshjen në Prishtinë.
“Tash Mërgimi para lojës me Çekinë në Prishtinë që e ka pasur Kosova tërë kohën thoshte si hajgare ‘Ka me iu hakmarr këtyre se më ka pas rreh ajo doktoresha’,” vazhdon tregimin vëllau i Mërgimit.
E për fat të mirë Mërgimi iu hakmor çekëve duke shënuar golin e fitores pas një skeme të përgatitur në mënyrë brilante nga Kosova.
Valon Berisha zuri në gjumë mbrojtjen e çekëve dhe Mërgim Vojvodia ia futi atyre përmas. Le të shpresojmë që tani drenicaku t’ia fut edhe një herë përmas çekëve, kësaj radhe në shtëpinë e tyre.
Kujtojmë që Kosova më 14 nëntor do të luajë kundër Çekisë në Plzen, ndeshje e cila është e vlefshme për kualifikueset e EURO 2020. /Reporteri.net/