Kuvendi Komunal i Prishtinës ka votuar themelimin e ndërmarrjes publike “Pastrimi-Prishtina”, e cila synon të merret me shërbimet e pastrimit në kryeqytet.

Drejtori i Shërbimeve Publike, Leutrim Retkoceri, gjatë prezantimit të propozimit për themelimin e ndërmarrjes, tha se Prishtina duhet ta marrë nën kontroll pastrimin e kryeqytetit.

“Kompania ‘Pastrimi-Prishtina’ do t’u hyjë në punë qytetarëve dhe do të menaxhohet nga Kuvendi i Prishtinës, me 100 për qind të aksioneve”, tha Retkoceri.

Reklamë

Ndërkaq, propozimi është kundërshtuar nga shefi i grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla, i cili tha se VV-ja nuk do ta mbështesë atë.

Sveçla e cilësoi themelimin e ndërmarrjes si vazhdim të asaj që ai e quajti “klientelizëm” në ndërmarrjet e kryeqytetit.

“Është një tendencë për të vazhduar klientelizmin e shpërfaqur nga PDK-ja, të shpërndarë në shumicën e ndërmarrjeve të kryeqytetit. Kjo është një kërkesë për një mundësi të re që një pjesë të tregut t’ia japin operatorit privat”, tha Sveçla.

Ai shtoi se, sipas tij, ndërmarrja ekzistuese “Pastrimi” mund të përqendrohet në shërbimet në Prishtinë, pasi ka ndërprerë pjesën më të madhe të aktiviteteve në komunat e tjera.

“Prishtina e ka ndërmarrjen e vet. Kompania ‘Pastrimi’ i ka ndërprerë pothuajse të gjitha aktivitetet në komunat tjera dhe mund të koncentrohet vetëm në Prishtinë. Qytetarët duhet ta dinë se po duan ta bankrotojnë ‘Pastrimin’ dhe një pjesë të punëtorëve ta dërgojnë në ndërmarrjen e re. VV-ja nuk e mbështet një propozim të tillë”, deklaroi Sveçla.

Reklamë