Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka reaguar pas miratimit me 99 vota të Deklaratës së Kuvendit për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Përmes një postimi, Hamza ka falënderuar deputetët për mbështetjen e deklaratës, duke thënë se ajo mbron të vërtetën e luftës çlirimtare dhe kundërshton aktgjykimin ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së.
“Si Kryetar i PDK-së, i falënderoj të gjithë deputetët për miratimin e deklaratës në mbrojtje të së vërtetës së luftës çlirimtare dhe kundërshtimin e aktgjykimit të padrejtë ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së”, ka shkruar Hamza.
Sipas tij, votimi i sotëm dëshmoi se mund të ndërtohet një vullnet i përbashkët politik për çështje që lidhen me luftën e UÇK-së dhe të vërtetën historike të Kosovës.
“Sot u dëshmua se mund të ndërtohet një vullnet i përbashkët politik për mbrojtjen e vlerave tona dhe të së vërtetës historike”, ka deklaruar ai.
Hamza ka kërkuar që ky vullnet politik të shprehet edhe përmes votimit të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
“Tani kërkojmë që i njëjti vullnet të dëshmohet edhe përmes votimit të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara”, ka shkruar kryetari i PDK-së.
Ai ka theksuar se ky vullnet duhet të shndërrohet në veprime konkrete institucionale.
“Ky vullnet duhet të përkthehet në veprim konkret, në mënyrë që, si shtet me institucione të qëndrueshme dhe funksionale, të përballemi me sfidat që kemi përpara”, ka përfunduar Hamza.